Home / Sporti / Shqipëri-Izrael, De Biasi shpall listën e të grumbulluarve

Shqipëri-Izrael, De Biasi shpall listën e të grumbulluarve

Të dielën e 12 nëntorit, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit për këtë vit sa i përket kualifikueseve të Botërorit “Rusi 2018”, ndërsa trajneri Gianni De Biasi ka publikuar edhe listën e lojtarëve të grumbulluar me këtë rast. Një listë që ka disa lëvizje, por disi të pritshme duke parë argumentet e dhëna nga tekniku italian në konferencën për shtyp.
Bien në sy mungesat e Ergys Kaçes dhe sulmuesve Shkëlzen Gashi e Sokol Çikalleshi, mbi të gjithë, ndërkohë që në listën e të grumbulluarve është Armando Sadiku, i cili po riaftësohet pas një dëmtimi disi të rëndë të pësuar në fillim të Europa League për këtë sezon me ekipin e Zurich.

Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:

Portierë: Berisha, Hoxha, Strakosha, Shehi.
Mbrojtës: Aliji, Djimsiti, Hysaj, Agolli, Mavraj, Ajeti, Veseli.
Mesfushorë: Basha, Memushaj, Roshi, Hyka, Lila, Lenjani, Xhaka, Kukeli, Grezda, Abrashi.
Sulmues: Balaj, Çani, Sadiku, Llullaku, Manaj.

Sa i përket ndeshjes së të shtunës në mbrëmje, sipas De Biasit do të jetë një sfidë jo edhe aq e lehtë sa ç’mund ta mendojnë shumë vetë nga jashtë. Izraeli, sipas tij “është një skuadër e fortë, me cilësi të mira dhe me lojtarë që aktivizohen në kampionatet më të rëndësishme europiane. Kësisoj, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë”.
Megjithatë, De Biasi shprehet se kemi vetëm një ndeshje gjatë këtij muaji dhe do të bëhet gjithçka për ta fituar atë.
“Mungesa e Kaçes dhe Gashit janë zgjedhje teknike të miat. Zgjedhje që janë bërë në bazë të përshtatshmërisë së lojtarëve me grupin. Mungon edhe Lenjani, në rolin e të cilit kemi pak zgjedhje. Ai është një lojtar i besueshëm dhe gjithmonë i gatshëm. Ai është një lojtar shumë i mirë, që më ka dhënë shumë gjatë viteve të fundit, sa herë që është thirrur të luajë. Ka probleme te Rennes, por shpresoj që në janar të gjejë një ekip të ri. Për Çikalleshin gjithashtu kam të njëjtin mendim, duhet të gjejë ekip tjetër në janar, pasi te Basaksehir nuk po gjen hapësirat e nevojshme për t’u aktivizuar”, shprehet De Biasi.
“Sa i përket Sadikut, ai po përpiqet të riaftësohet pas dëmtimit dhe ne shpresojmë ta kemi gati, sepse është i rëndësishëm për ne”, thotë tekniku italian për sulmuesin e golit të vetëm në Europian.
Por a mund të ëndërrojmë mrekullinë edhe në Botëror?
“Ëndrrat janë të bukura për të gjithë, por dëshirat duhen të jetë realiste dhe të përmbajtura, pasi të shkojmë në Rusi 2018 duhet shumë punë dhe fat. Megjithatë besoj se do të arrijmë diçka pozitive edhe në këto kualifikuese. Do të bëjmë maksimumin, siç bëmë në Europian, përndryshe nuk do të isha ende në stolin drejtues të kombëtares së Shqipërisë”, ka thënë në konferencë Gianni De Biasi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: