Politika

Rama në Kolonjë: Faleminderit për votën dhe për borxhin ku na futët

Kryeministri Edi Ram ka marrë pjesë sot në një takim me simpatizantët në Kolonjë pas zgjedhjeve për Bashkinë ku fitues u shpall kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilia Stefo.

“Falenderim për mbështetjen e jashtëzakonshme, për votën bindëse dhe për borxhin e jashtëzakonshëm ku na futët me këtë vote”, u tha Rama qytetarëve të Kolonjës.

“Fitorja është e bukur në zgjedhje vetëm kur numërohen kutitë, pastaj kur numërimi mbaron dhe ke fituar, fillon borxhi. Dhe borxhi ndaj Kolonjës është shumë i madh, pasi braktisja që qeverisja i ka bërë Kolonjës në vite ka hapur shumë plagë këtu, por pas zgjedhjeve të së dielës jemi akoma më shumë borxhlinj”, tha Rama.

“Erdhëm këtu sot jo vetëm t’ju falenderojmë, por dhe t’ju bëjmë me dije që do bëjmë për ju gjithçka që keni nevojë që dhe fshatrat më të largët ta ndjejnë rezultatin e kësaj vote kaq domethënëse për Aleancën për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Rama.

Rama u premtoi kolonjarëve që, “Rrugën do ta mbarojmë njëherë e më parë, në mënyrë që lidhja e Kolonjës me Korçën të bëhet e shpejtë dhe e thjeshtë”.

Në fund “falenderoj Niko Peleshin që ka bërë një punë shumë të mirë. Falenderoj edhe partnerët tanë të koalicionit, një falenderim i merituar sepse janë treguar shumë bashkëpunues e luajalë. Si dhe një falenderim për të gjithë të tjerët”, ka vijuar Rama.

Ai i ka rezervuar një mesazh edhe opozitës. “Më vjen keq që ata që ishin përballë nesh e morën këtë mundim, por ajo që dua t’u them është se herës tjetër do t’i mundim edhe më thellë. Shitësit e broçkullave e morën edhe një mësim tjetër dhe në qershor do të marrin një mësim edhe më të madh”, ka shtuar Rama.

Në fjalën e tij, zv.kryeministri Niko Peleshi është shprehur “i prekur thellë” nga votat që kanë ardhur sipas tij edhe nga ato zona ku qeveria e majtë nuk ka bërë sa duhet.

“Jam i bindur se Ilia Stefo do të shkëlqejë edhe si kryetar bashkie”, ka thënë Peleshi, i cili ka evidentuar edhe një element tjetër. “Ne kemi një rritje prej 1.400 votash nga zgjedhjet e fundit”, ka saktësuar Peleshi.

Vetë kandidati fitues, në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë votuesit, përfshirë ata që nuk e votuan. “Do të bëjmë punë shumë të mira. Le t’i përvishemi punës që Kolonja të marrë shkëlqimin që i ka munguar”, ka thënë Ilia Stefo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button