Home / Intervista / Haxhinasto: Ky është kushti për të dalë sërish me PS-në në zgjedhje

Haxhinasto: Ky është kushti për të dalë sërish me PS-në në zgjedhje

I sapozgjedhur në pozicionin e sekretarit për programin e LSI-së, ish-ministri Edmond Haxhinasto në një intervistë për MAPO tregon piketat ku do të fokusohet puna për hartimin e programit të ardhshëm politik dhe elektoral të LSI-së.

Haxhinasto vlerëson si pozitive punën e qeverisë, ndërsa thekson se koalicioni ka ende mundësi për të dhënë më shumë për qeverisjen e vendit.

Ai lë të hapur mundësinë për të ribërë edhe një herë marrëveshjen e bashkëqeverisjes edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar me PS.

Z. Haxhinasto LSI zgjodhi edhe kryesinë dhe sekretariatin e saj. Mund të konsiderohet tashmë një proces i mbyllur ai i zgjedhjeve të brendshme të LSI-së?

Procesi zgjedhor i brendshëm në LSI tashmë ka përfunduar, strukturat drejtuese kombëtare të LSI-së janë zgjedhur në mbledhjen e fundit të KDK-së dhe kanë mbetur për t’u formatuar vetëm komisionet brenda KDK-së. Pastaj mund të themi që të gjitha strukturat e LSI-së janë të rinovuara dhe të gatshme për sfidat e ardhshme politike dhe elektorale.

Z.Haxhinasto ju vetë u zgjodhët si sekretar për programin e partisë. Çfarë do të ndryshojë LSI në anën programore dhe atë ideologjike, çfarë ka për t’u korrektuar në atë që ka qenë deri më tani?

Në konventën e fundit zgjedhore u bë paraqitja e parimeve mbi bazën e të cilave do të hartohet programi i ardhshëm zgjedhor, ku u parashtruan mjaft qëndrime të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformat e ndryshme, me reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, zhvillimin ekonomik të vendit, me fokusimin në sektorët strategjik të ekonomisë, me përcaktimin e këtyre sektorëve, me përcaktimin e politikave fiskale që duhet të ndjekim, apo edhe qëndrimet për arsimin, rininë, pra me të gjithë aspektin social të aktivitetit dhe të politikave tona. Një element shumë i rëndësishëm i paraqitur në konventë dhe në këtë platformë të parimeve ishte dhe qëndrimi për koalicionet. Veçanërisht kryetari i LSI-së në fjalën e tij u shpreh për të forcuar dimensionin e konsensusit në çdo koalicion të ardhshëm, që do të thotë që çdo parti politike duhet të paraqesë në programin e përbashkët të koalicionit politikat e veta identitare, ato politika të cilat ajo i ka themelore dhe të rëndësishme, politika që duhet të trajtohen në programin e përbashkët qeverisës. Ky do të jetë një parim mjaft i rëndësishëm që do ta respektojmë në të ardhmen, pasi në fund të fundit partitë hyjnë në koalicione dhe duhet të hyjnë në koalicione për të realizuar politika të rëndësishme të identitetit të tyre dhe kështu të mbajnë disa nga premtimet themelore që kanë bërë përpara qytetarëve. Një qëndrim tjetër i rëndësishëm ishte dhe ai që kishte të bënte me nevojën për krijimin e sinergjive për të shfrytëzuar kapacitetin e koalicionit që në gjykimin tonë është një kapacitet që akoma nuk është ezauruar, por sigurisht për këtë duhet më shumë fokus, duhet më shumë fokusim strategjik në sektorë të cilët garantojnë rritjen më të madhe ekonomike dhe i japin vendit një vlerë të shtuar, vlerë që ngelet në vend dhe që përkthehet në rritje ekonomike dhe punësim. Nëse e keni vënë re me kujdes që në parimet tona u fol jo më për një punësim masiv por një punësim specifik, të qëndrueshëm dhe të mirëpaguar. Ky është objektivi ynë politik.

Një nga sfidat e para me të cilat do të përballet ky ekip i ri drejtues janë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Cilat janë objektivat e LSI sa i përket mbështetjes elektorale dhe për rrjedhojë dhe numrit të deputetëve?

Besoj se LSI do ta ruajë trendin e saj rritës dhe ky nuk është në fakt një qëllim në vetvete, por ka të bëjë me përqasjen tonë ndaj thelbit të ekzistencës tonë dhe thelbit të politikës që është shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve.

Kohët e fundit në LSI është identifikuar një linjë e ashpër, e cila kërkon që LSI të marrë më shumë përgjegjësi dhe pse jo Meta të jetë edhe kryeministër….

Unë mbështes çdo linjë që konfirmon përgjegjësitë politike të LSI-së përpara qytetarëve shqiptarë, që realizon premtimet e saj zgjedhore përpara qytetarëve shqiptarë. Unë mbështes rritjen e përgjegjësive të LSI-së në qeverisje, sigurisht të bazuara në rezultatin e tyre zgjedhor. Mendoj se duhet lexuar me kujdes ajo që u tha nga kryetari i LSI-së, se koalicioni duhet të ezaurojë potencialet e veta, duhet të krijojë sinergji për përshpejtimin e rritjen ekonomike dhe gjithashtu ajo që tha për vetë koalicionin, që dimensioni i konsensusit të koalicionit duhet të forcohet, pikërisht në funksion të një konsensusi më të gjerë në përgjithësi dhe të prevalimit të atyre politikave që janë më efikase, më të pranuara dhe i shërbejnë më mirë jetës së qytetarëve.

Si do ta vlerësoni bashkëqeverisjen me socialistët tashmë kur jemi drejt fundit të mandatit 4-vjeçar?

Koalicioni ka akoma potencial të paezauruar, mund të kishte krijuar sinergji më të mëdha për të arritur një ritëm më të lartë të realizimit të premtimeve të veta për të realizuar një rritje më të madhe ekonomike dhe nëpërmjet rritjes ekonomike të kishte siguruar një punësim më të gjerë, më të qëndrueshëm dhe me të ardhura më të larta. Besoj që e thënë kjo nuk duhet të jemi nihilist aspak, por të vlerësojmë punën e bërë deri më tani, por kjo nuk do të thotë që të mos kemi vizion që punët të ecin më shpejt dhe më mirë.

Ju keni qenë një nga dy personat që u morën dhe me hartimin e programit qeverisës në fillimet e veta të kësaj qeverie. Mendoni se janë realizuar ata objektiva që qeveria i vuri vetës 3 vite e gjysmë më parë?

Qeveria ka qenë në rrugë të mbarë, por potenciali i saj është shumë më i lartë se sa kaq dhe sa ka prodhuar deri më sot. Por besoj gjithashtu se pavarësisht nga vlerat e tjera të qeverisjes, një vlerë, një dimension shumë i rëndësishëm i saj duhet të jetë gjithmonë vetëpërmirësimi, vetëkritika apo autokritika. Që do të thotë se në çdo kohë një qeverisje e mirë duhet të ketë kapacitete për të rivlerësuar vetveten dhe për të axhustuar ato politika, që nuk kanë funksionuar mirë, të cilat mund të funksionojnë më mirë gjithmonë në shërbim të përmirësimit të jetë së qytetarëve.

Ju e përmendët pak më lart çështjen e koalicionit, por nisur nga mënyra se si ka bashkëqeverisur PS dhe LSI, mendoni se ky koalicion duhet të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme për një mandat tjetër qeverisës?

Unë mendoj se çështja e vlerësimit të koalicionit dhe shprehjes së mendimeve personale duhet të jetë diçka e përmbajtur, diçka serioze. Këto nuk janë çështje opinionesh private, këto janë çështje të qëndrimeve politike të partisë dhe unë do të përmbahem për të dhënë opinione personale për çështje të tilla të rëndësishme. Por ndërkohë unë thashë se çfarë duhet përmirësuar në funksionin e koalicionit, në drejtim të sinergjive të reja, në drejtimit të ezaurimit të potencialit që ka dhe në drejtim të një konsensualiteti më të gjerë për politikat që realizon.

Zoti Haxhinasto, ju ishit një nga ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar, ndërkohë që në mënyrë krejt papritur dhatë dorëheqjen. Cilat ishin arsyet që çuan në këtë dorëheqje?

Mendoj se jam shprehur për këtë gjë dhe është shprehur dhe kryetari i LSI-së për sa më pyesni dhe arsyeja ka qenë ajo që tashmë është deklaruar, për t’u angazhuar plotësisht dhe me kohë të plotë në hartimin e platformës sonë politike, siç u paraqit në konventën e fundit dhe për përgatitjen e programit për zgjedhjet e ardhshme.

Është folur shumë këto kohë, të paktën në media për një lloj “fërkimi” me zotin Meta, çka ka sjellë dhe largimin tuaj nga pozicioni i ministrit…

Marrëdhëniet e mia me zotin Meta janë marrëdhënie të një bashkëpunimi do të thoja të shkëlqyer, kemi mirëkuptim të plotë për sa iu takon parimeve se si zhvillohet politika e LSI-së dhe objektivat e saj, si dhe sa iu takon realizimit të këtyre objektivave.

Po marrëdhëniet me zotin Rama si i keni?

Me zotin Rama kam pasur një marrëdhënie shumë normale institucionale, e cila në fund të fundit është reflektuar edhe në gjithë aktivitetin tim të mëparshëm si ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Sigurisht objektivat e mia në kuadër të qeverisë ku unë kam bërë pjesë deri para pak kohësh kanë shumë më të larta se sa janë realizuar. Do ishin realizuar shumë më tepër në qoftë se do të kishte pasur mundësi më të mëdha buxhetore nga buxheti i shtetit. Akoma infrastruktura e vendit ka nevojë për mbështetje shumë më të madhe sesa ka realisht për të përfunduar shumë vepra që janë akoma të papërfunduara. Dhe jo vetëm kaq, por edhe për të realizuar një vizion shumë modern për zhvillimin e infrastrukturës në vend, vizion i cili tashmë është formalizuar edhe në dokumentet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare siç është Samiti i Vjenës, i cili ka përcaktuar rrjetin e segmenteve kryesore që duhen realizuar në rajon dhe në secilin nga vendet e rajonit, por jo vetëm sa i përket infrastrukturës fizike, por mbi të gjitha sa iu takon shërbimeve, masave të buta që quhen të lehtësive në qarkullim, hapjes së tregut.

Zoti Haxhinasto një nga çështjet që ka mbërthyer politikën dhe institucionet në debat është edhe reforma në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë ligji i Vettingut. Tashmë që Venecia u shpreh a ka më arsye që kjo çështje të debatohet më tej?

Mendoj që procesi i vettingut me gjithë legjislacionin rreth tij duhet të kalohet sa më shpejt. Ky është një detyrim i gjithë përfaqësuesve publikë qoftë politikë apo jopolitikë, qoftë të gjyqësorit dhe strukturave të tjera ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne gjykojmë se procesi i vettingut është një domosdoshmëri për sistemin gjyqësor por gjithashtu një domosdoshmëri për të gjitha shtyllat e tjera të institucioneve duke filluar nga politika. Sepse nuk mund të pranohet që procesi i pastrimit të një shtylle të shtetit të vazhdojë shtyllat e tjera të shtetit të lihen të paprekura. Këto gjëra ne nuk mund t’i bëjmë kompromis, partnerët tanë nuk mund të bëjnë kompromis me ne dhe ne nuk duhet të bëjmë kompromis me veten tonë. Këto janë reforma që duhen realizuar një minutë e më parë. Do të thotë siguri më e madhe juridike për qytetarin e thjeshtë, për investitorin, do të thotë një politikëbërje e qeverisje më transparente, më në shërbim të qytetarit, më larg interesave klienteliste, më larg krimit dhe më afër qytetarit. Prandaj gjykoj se këto reforma absolutisht duhet të ecin përpara, duhet të jenë në interes të qytetarëve, institucioneve por edhe politikës, asaj politike e cila dëshiron të konkurrojë mbi bazën e politikave më të mira qeverisëse. Dua të them që çdo parti politike që beson te profili i vet, që beson te politikat e saj, që beson te konkurrimi i ndershëm përpara qytetarëve duhet të jetë e interesuar që këto reforma të ndodhin. Ato parti politike të cilat duan të përdorin populizmin, nacionalizmin, paratë e pista, kanabisin për të rritur rezultatin zgjedhor sigurisht që nuk janë për reformat.

Një tjetër reformë që pritet të ndodhë është edhe ajo zgjedhore. LSI ka bërë disa propozime përfshi edhe listat e hapura. A do t’iu imponohet LSI partive të tjera për t’i pranuar ato?

Në fakt janë disa propozime që ne kemi bërë, është propozimi për transparencë maksimale për financimin e partive, është propozimi për penalizimin e shitblerjes së votës në mënyrën më të rëndë të mundshme, është propozimi edhe për listat e hapura, të gjitha mendojmë dhe gjykojmë se sjellin një nivel shumë më të lartë të politikëbërjes, një transparencë të saj, një integritet dhe cilësi më të lartë të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.