Home / Parlamentare / Imsi Catcher, Xhelili fundos PD-në: Pajisja u fut në kohën e Nokës

Imsi Catcher, Xhelili fundos PD-në: Pajisja u fut në kohën e Nokës

Një pajisje Imsi Catcher që shërben për përgjime të specializuara është futur që në kohën kur ministër i Brendshëm ka qenë Flamur Noka.  Kështu deklaroi sot në Komisionin Hetimor për pajisjen e përgjimit, oficeri i Policisë, Entjol Xhelili, ndërkohë që opozita e cila ka ngritur këtë Komision, pretendon se Imsi Catcher është futur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pa dijeninë e Prokurorisë.

Anëtarët e mazhorancës pas deklaratës së Xhelilit kërkuan që të hetohet edhe periudha kur ka qenë ministër Flamur Noka dhe të zgjatet afati i komisionit.

Në fund të dëshmisë, Entjol Xhelili i cili mbante veshur një bluzë të kuqe me shqiponjë dykrenore në gjoks, ndërsa në krahë të lidhur dy shalle, një me flamurin e amerikan dhe një tjetër me flamurin e BE, këndoi dhe himnin kombëtar.  Xhelili tha se ky veprim është betimi se sot në Komision ka dëshmuar të vërtetën.

Komisioni Hetimor për pajisjen ‘IMSI-catcher’ ka thirrur për të raportuar ditën e sotme edhe shefat e policisë së burgut të Elbasanit, të Peqinit dhe të Rrogozhinës.

E ndërsa shefat e burgut të Elbasanit dhe të Peqinit mohuan dijeninë që në ambientet e burgut të jetë futur një pajisje përgjimi, shefi i burgut të Rrogozhinës, Besnik Kaptelli deklaroi se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, Artur Zoto ka pritur në zyrë në kohën që ka qenë drejtori i burgut të Peqinit një oficer të policisë, Entjol Xhelilin.

Edhe Shefi i Policisë së Burgut të Fushë- Krujës, Gëzim Gjoni deklaroi se pas urdhrit nga Drejtori i Përgjithshëm është futur në ambientet e burgut 302 oficeri i policisë Xhelili, (në kohën që e drejtonte) ndërsa ka shënuar në protokoll se synim ka qenë matja e cilësisë së ajrit me një pajisje, të cilën ai tha se nuk e ka parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.