Home / Ekonomia / Tri kompani kontrollojnë importet. Autoriteti i Konkurrencës rrëzon ankesën e dy firmave ndaj hetimit

Tri kompani kontrollojnë importet. Autoriteti i Konkurrencës rrëzon ankesën e dy firmave ndaj hetimit

portiKonkurrenca: Tregu i naftës, oligopol

Nga Zamir Alushi

Prodhimi – Prodhimi i rafinerisë së Ballshit, gjatë periudhës së hetimit, në tregun vendës ka zënë nivelet nga 4.1% deri në 17.5%.

Importi – Importuesit e sjellin naftën në magazinat e lira doganore dhe një pjesë e shesin aty, pjesën tjetër e zhdoganojnë vetë.

Konkluzioni –  “Deri në janar 2014, tre ndërmarrjet kanë pasur pozitë dominuese nga 80 deri në 100% të tregut”

Datat – Hetimi paraprak nisi më 15.9.2013, hetimi i thelluar më 1 janar 2014. Ankesa e dy firmave në qershor 2014

Tregu i karburanteve është në proces hetimi të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës (AK), sepse gjatë fazës paraprake u gjetën fakte të përqendrimit në formën e një oligopoli. Dje AK rrëzoi ankesën e bërë nga dy kompanitë e mëdha të tregtimit të naftës që kërkonin anulimin e këtij hetimi. Afati i investigimit ishte 1 janar 2010 – 30 prill 2014, dhe pritet shumë shpejt vendimi përfundimtar i AK-së.

Struktura e tregut

Deri në janar 2014, tre ndërmarrjet kanë pasur pozitë dominuese në 80 deri në 100% të tregut. Gjatë periudhës objekt hetimi evidentohet se ndërmarrjet që ankohen, të cilat zotërohen nga të njëjtët aksionerë dhe kanë si bazë Durrësin, si dhe një tjetër me bazë Vlorën, janë ndërmarrjet kryesore në tregun e importit, tregtimit, dhe të aktivitetit në zonën e lirë doganore në Shqipëri. Njëra prej tyre, (ajo me bazë në Vlorë) e kryen të gjithë aktivitetin vetëm në zonën e lirë doganore. Pra, kjo ndërmarrje i shet shoqërive aksionere shqiptare që tregtojnë me shumicë karburantet në vend. Dy të tjerat përveçse realizojnë aktivitet tregtimi të karburanteve në zonën e lirë doganore, pjesën më të madhe të karburanteve i zhdoganojnë duke vazhduar aktivitetin e tregtimit në hallkat e tjera të shitjes me shumicë dhe pakicë. Këto ndërmarrje, sipas hetimit të AK-së, janë të integruara vertikalisht në të gjithë nivelet e tregut. Nga vlerësimi i pjesëve të tregut konstatohet se importuesi më i madh në vend arriti në vitin 2013 rreth 46,3% të tregut të naftës dhe 37% të tregut të benzinës. Ndërsa kompania me bazë në Vlorë ka qarkulluar 23% të tregut të naftës dhe 38% të tregut të benzinës. Në vitin 2013, ka pasur një ulje të mëtejshme të numrit të ndërmarrjeve të cilat kanë realizuar blerje të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, duke qenë vetëm katër, (ndërsa në vitin 2014, rezultojnë vetëm 3). Ndërmarrjet që disponojnë magazina të lira doganore në “Romano Port”, pjesën më të madhe të produktit naftë dhe benzinë që blejnë në tregjet ndërkombëtare e zhdoganojnë vetë, ndërsa pjesa tjetër u shitet në zonën e lirë doganore një numri të kufizuar kompanive të shumicës. Edhe në Portin Vlora 1 blejnë karburante vetëm 4 kompani shumice.

Çmimet

Bazuar në nenin 8 të ligjit 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, AK ka shpallur se ndërmarrjet (emrat e tyre nuk i përmendim në këtë shkrim, meqenëse vazhdon hetimi i thelluar), gjatë periudhës hetimore janar 2010-janar 2014 dominojnë tregun me shumicë të karburanteve, aplikojnë çmime të njëjta ose me diferencë shumë të vogël nga njëra-tjetra, duke ndjekur të njëjtën trajektore të ritmit të uljes dhe rritjes së çmimeve dhe duke ndjekur ngushtësisht njëra-tjetrën. Gjithashtu, sipas AK-së, ndërmarrjet nuk reflektojnë çmimet e blerjes në bursa në rastin kur këto të fundit pësojnë rënie të ndjeshme, duke i transferuar fitimet në llogaritë e tyre, kur në kushte konkurrenciale, këto ulje çmimi duhet të transferoheshin në përfitime të konsumatorëve. Strategjia për të mbajtur çmime të padrejta me pakicë dhe aplikimi i një sjellje të përbashkët nga ndërmarrjet dominuese në këtë treg, bazohet në faktin se këto ndërmarrje janë të vetmet që kanë pasur një akses periodik mbi burimet e furnizimit (importet) dhe integrimi i tyre deri në nivelin e shitjes me pakicë bën që kontrolli të jetë në kohë reale. Sipas AK-së, situata aktuale e konkurrencës në tregun e karburanteve konfirmon këtë vlerësim. Për analizën e zbatimit të çmimeve të padrejta të shitjes AK ka bërë krahasimin e çmimeve të tregtimit për periudhën hetimore, analizën e kostove dhe fitimeve të ndërmarrjeve, çmimet rajonale të naftës dhe benzinës si dhe marzhit bruto të fitimeve ku rezulton se Shqipëria ka nivelet më të larta. Tre grosistët e mëdhenj, sipas AK-së, kanë vendosur çmime të padrejta të shitjes krahasuar me koston sipas zinxhirit të vlerës dhe nivelin rajonal të çmimeve. Sa i përket nivelit (benchmarkut) rajonal të çmimit, sipas të dhënave të publikuara nga ana e Bankës Botërore rezulton se, për sa i përket çmimit, Shqipëria gjatë vitit 2012 ka një çmim mesatar të shitjes më të lartë se Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia dhe Bosnjë & Hercegovina.

Bashkërendimi

Lidhjet mes aksionerëve në shoqëritë kryesore aktive në tregun e naftës, sipas AK-së, kanë lehtësuar komunikimin dhe strategjitë e sjelljes në treg. Sjellja ndaj çmimit e ndërmarrjeve të mëdha ka konverguar në çmime thuajse të njëjta shitjeje në treg. Nga të dhënat e administruara nga “Romano Port”, si dhe nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konstatohet se ndërmarrjet kanë realizuar blerje të përbashkëta. Këto blerje të përbashkëta realizohen në dy forma: a) Rasti kur anija është porositur nga dy ndërmarrje; b) Rasti kur anija sillet nga një ndërmarrje dhe malli u shitet në zonën e lirë doganore disa ndërmarrjeve në magazina të ndryshme doganore. Këto transaksione, të cilat vlerësohen si blerje të përbashkëta janë shenja të një praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve dhe grupit të ndërmarrjeve aktive në tregun e importimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve. Nga evidencat e administruara gjatë hetimit paraprak rezulton se ndërmarrjet realizojnë transaksione midis tyre, të cilat mundësojnë sjellje të koordinuara ndaj çmimit në treg. Këto kompani zotërojnë strukturat e linjave të depozitimit, transportimit, stacionet e shitjes me pakicë etj., që favorizojnë sjelljen e tyre dominuese. “Ndërlidhjet e shumta në hallkat e ndryshme të sistemit të importimit, shitjes dhe rishitjes, shpërndarjes, shkëmbimit të karburanteve, kanë bërë që sjellja e ndërmarrjeve të humbasë pavarësinë dhe ato të sillen si një e vetme”, konstaton AK.

Leave a Reply

%d bloggers like this: