Ekonomia

Politika “ngrin” biznesin dhe investimet

Ky do të jetë një vit aspak i qetë për Shqipërinë. Politika noton në ujëra të turbullta, Reforma në Drejtësi sapo ka nisur të zbatohet, në qershor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, para dhe pas tyre do të na shoqërojnë ‘pazaret’ e ‘martesat’. E në këto kushte, biznesi zgjedh të lërë pezull planet e të ‘përgjojë’ sesi do të shkojnë punët, e më pas të vendosë

Nga Elona Bedalli

Nga njëra anë, çështjet e brendshme e nga ana tjetër faktorët e jashtëm që nuk duhen anashkaluar. Shqipërisë, si në aspektin ekonomik, social e politik, do t’i duhet të bëjë disa hesape duke qenë se gjendet përballë një kushti të rëndësishëm që i kanë vënë ndërkombëtarët, zbatimi i Reformës në Drejtësi. Ky është edhe kushti i hapjes së negociatave. Në mesin e kësaj jave do të shprehet për këtë edhe Parlamenti Europian, përmes miratimit të raportit.
Së fundmi, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) prezantoi gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje” për vitin 2016, i kryer gjatë periudhës 12-24 dhjetor 2016 në të 61 bashkitë e Shqipërisë. Ai u realizua me mbështetjen financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) dhe ka si qëllim të masë nivelin e besimit të publikut tek institucionet qeveritare, si dhe qëndrimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve publike dhe ofrimit të shërbimeve në Shqipëri. Nga gjetjet rezultoi se sistemi gjyqësor (74% e të anketuarve) është institucioni më pak i besuar në Shqipëri, i ndjekur me një diferencë të përafërt nga partitë politike (72% e të anketuarve. Parlamenti renditet si institucioni i tretë më pak i besuar, me 71% të publikut të anketuar që nuk kanë besim.
Ndërsa, sipas publikimit, edhe pse 71% e qytetarëve të anketuar besojnë se Reforma në Drejtësi do të ketë ndikim pozitiv nëse zbatohet siç duhet, vetëm 46% e tyre besojnë se ajo do të zbatohet siç duhet në krahasim me 42% që nuk ndajnë të njëjtin mendim.
Por, cilat janë pritshmëritë e biznesit vendas e të huaj të shprehura përmes disa nga përfaqësuesit e tyre? Çfarë planesh kanë në lidhje me investimet? Çfarë ndikimi do të kenë në vendimmarrjen e tyre këto çështje?
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, thotë se stabiliteti i klasës politike është përcaktues për krijimin e besimit për nismat dhe investimet në sipërmarrjen private.
Ndërsa për drejtorin e përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, biznesi dhe institucionet e tjera kanë krijuar tashmë përvojë dhe janë më të imunizuar nga ndryshimet politike apo edhe efektet para dhe postzgjedhore.
Ekspertja e ekonomisë dhe akademikja, Suzana Guxholli, thotë se na presin muaj të vështirë dhe se ekonomia do të vazhdojë rritjen anemike, të pabazuar te prodhimi e produktiviteti, por tek investimet sporadike publike.
Për presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), Mark Crawford nisja e zbatimit të Reformës në Drejtësi është një sinjal pozitiv që vjen për klimën e biznesit dhe investimet, por në kushtet aktuale, të paktë mund të jenë ata që do të guxojnë të ndërmarrin plane konkrete.

 

monitor 767.inddInvestimet strategjike në periudha elektorale janë të tërheq

Flet Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës

Për vendet në zhvillim dhe me demokraci të brishtë, veç të tjerash është domosdoshmëri stabiliteti politik. Në Shqipëri, ky aspekt është më shumë i ndjeshëm, pasi tashmë ne karakterizohemi, jo vetëm nga mungesa e këtij stabiliteti, por edhe nga shkalla e lartë e mosfunksionimit të sistemit ligjor. Personalisht jam i prirë të besoj, por dhe të sugjeroj se stabiliteti i klasës politike është determinues për krijimin e besimit tek iniciativat dhe investimet në sipërmarrjen private.
Në përgjithësi, Shqipëria, në prag zgjedhjesh lëshon sinjale kontradiktore lidhur me qasjen e të bërit biznes.
Nga njëra anë, kemi sinjale shprese të disa sipërmarrjeve që qëndrojnë afër formacioneve politike, si përfituese të ofertave bujare të fondeve me destinacion të qartë për investime publike. Këto investime janë të orientuara për qëllime elektorale.
Nga ana tjetër është provuar që investimet strategjike në periudha elektorale janë të tërhequra për shumë arsye dhe aq më tepër kur formacionet politike të rëna dakord për aleanca nuk krijojnë siguri për të ardhmen.
E parë kjo në këndvështrimin e qarkullimit dhe shërbimeve tregtare, periudhat parazgjedhore ndikojnë në kahun e rritjes.
Ndërsa ajo që vazhdon të jetë evidente fatkeqësisht ka të bëjë me faktin se vazhdojmë të përjetojmë falje, amnisti, përjashtime fiskale e shumë e shumë dhurata të tjera elektorale që deformojnë sistemin e zbatimit të ligjit. Ndërkohë që kemi një dekurajim që vjen nga pjesa e ndershme e qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar pikërisht për shkak të këtyre.
Në lidhje me fillimin e Reformës në Drejtësi, urojmë që të zbatohet në mënyrën e duhur. Personalisht jam i bindur që pa Vetting-un e klasës politike nuk do të mund të kemi një sistem drejtësie efikas dhe në shërbim të qytetarit shqiptar.
Sistemi i drejtësisë dhe deformimi i saj ka ardhur si pasojë e sjelljes së klasës politike. Është kjo klasë politike së cilës në fund të fundit nuk i intereson në asnjë moment një sistem drejtësie me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri në zbatimin e ligjit. Është po kjo klasë politike dhe njerëzit afër saj, të cilët mbajnë edhe rekorde për sa i përket shkeljes së ligjit.
Urojmë dhe shpresojmë për një ndërgjegjësim të qytetarëve shqiptarë, nëse jo ndëshkim, të paktën braktisje ndaj çdo klase politike që nuk ka një platformë, e cila nuk është në shërbim të qytetarit dhe sipërmarrjes shqiptare.

 

Jaka:

Ajo që vazhdon të jetë evidente fatkeqësisht ka të bëjë me faktin se vazhdojmë të përjetojmë falje, amnisti, përjashtime fiskale e shumë e shumë dhurata të tjera elektorale që deformojnë sistemin e zbatimit të ligjit.

 

Perfaqesuesi i Konfidustrias Gjergj Buxhuku, duke folur gjate nje Forumi Nderkombetare me teme "Zhvillimet Energjitike ne Shqiperi dhe Rajon, dhe Proceset Globalizuese".

Kemi një kohë të gjatë që nuk po shohim investitorë të huaj

Flet Gjergj Buxhuku, drejtor i përgjithshëm i Konfindustrisë

Viti 2017, mbështetur te të dhënat dhe analizat që ka Konfindustria, mund të themi se nuk do të paraqesë ndonjë ndryshim për t’u theksuar, në krahasim me vitet e fundit për sa i përket pritshmërisë së biznesit. Besimi është ende i ulët dhe kjo duket drejtpërdrejt te niveli i dobët që shfaq në vazhdimësi kërkesa për kreditim nga bizneset e qëndrueshme.
Paqëndrueshmëria politike, parimisht, në teori, ka ndikim në klimën e biznesit në tërësi dhe mbi të gjitha në vendimmarrjen për investime të reja. Megjithatë mendoj se tashmë, biznesi por edhe institucionet kanë krijuar përvojë dhe janë më të imunizuar nga fushatat zgjedhore dhe ndryshimet politike.
Por, nuk mendoj se ka dallim të ndjeshëm ndërmjet psikologjisë së investitorëve të huaj dhe vendas, kur vjen fjala për një vendimmarrje për të kryer apo jo një investim. Aq më shumë që kemi një kohë të gjatë që nuk po shohim investitorë të huaj e të shumtë që të vijnë në vendin tonë me investime të drejtpërdrejta të vogla dhe të mesme. Investimet e quajtura të huaja në vendin tonë, në gjitha vitet e fundit janë përqendruar në projekte të mëdha si TAP-i, HEC-i i Devollit, kërkimi në fushat e naftës, që natyrisht kanë kohën e tyre të maturimit në afatshkurtër. Të grumbulluara në disa vite si sasi të japin përshtypjen e vlerave të mëdha të investimeve të huaja, por janë të fundme dhe të krijojnë përshtypje të rreme për fuqinë thithëse nga ekonomia vendore. Natyrisht, projekte të tilla nuk prodhojnë në masë vende pune dhe as vlerë të shtuar të qëndrueshme. Duhet menduar mirë që të mos fshihemi pas shifrave makro të çastit të disa investimeve të huaja, por duhet të ndërtojmë projekte shoqëruese zhvillimi, që do të jenë të qëndrueshme në afatgjatë për sa i përket punësimit dhe vlerës së shtuar në ekonominë kombëtare.
Në lidhje me faktin se gjatë viteve elektorale kemi një përqendrim të shpenzimeve publike në vetëm disa muaj, mund të themi se kjo është një ‘sëmundje e vjetër’. Gjithmonë, në vitet zgjedhore përqendroheshin shpenzimet buxhetore në periudhat kohore parazgjedhore, duke shkaktuar probleme me qëndrueshmërinë makrofiskale dhe njëkohësisht në cilësinë e vetë projekteve të zbatuara. Jemi në dijeni se është miratuar në Kuvend kushtëzimi i veçantë, si rregull fiskal, që në 6 muajt e parë të vitit shpenzimet e realizuara nuk duhet të kalojnë 50% të parashikimit buxhetor vjetor. Mendoj se ky vendim është për t’u mbështetur dhe është shprehje serioziteti e vendimmarrjes. Natyrisht presim që një kushtëzim i tillë të respektohet si shprehje vullneti për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore të pritshme, por edhe për të rritur efektivitetin e përdorimit të parave publike.

 

Buxhuku:

Kemi një kohë të gjatë që nuk po shohim investitorë të huaj e të shumtë që të vijnë në vendin tonë me investime të drejtpërdrejta të vogla dhe të mesme. Investimet e quajtura të huaja në vendin tonë, në gjitha vitet e fundit janë përqendruar në projekte të mëdha si TAP-i, HEC-i i Devollit, kërkimi në fushat e naftës, që natyrisht kanë kohën e tyre të maturimit në afatshkurtër

 

monitor 767.inddEkonomia, rritje anemike të pabazuar në prodhim

Flet prof. dr. Suzana Guxholli, Universiteti i Nju Jorkut Tiranë

Është i njohur fakti që ashpërsimi i përplasjeve politike brenda mazhorancës dhe midis saj dhe opozitës, sjell ndikim negativ në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike.
Një pozitë e zhytur në korrupsion që lulëzon në ditë me diell e faktohet në mënyrë të vazhdueshme nga opozita, media, shoqëria civile e qytetarët, jo vetëm nuk të frymëzon e të nxit të bësh biznes, por përkundrazi, të frenon.
Biznesi, rritet e zhvillohet kur ka një klimë të përshtatshme e tërheqëse investimesh (Shqipëria është e fundit në rajon në të bërit biznes me lehtësi); kur ka siguri (Shqipëria është bërë qendra e drogës dhe trafikantëve, e kriminelëve dhe prostitucionit); kur ka qëndrueshmëri politikash fiskale (Shqipëria ndryshon ligjet sipas interesave klienteliste e nuk respekton kontrata); infrastrukturë të zhvilluar e shërbime cilësore, (Shqipëria e filloi këtë zhvillim të shpejtë 10 vite më parë, por e ka ndryshuar politikën duke e lënë mënjanë infrastrukturën. Asnjë rrugë e filluar më parë nuk është mbaruar e jo më të flitet për të reja).
Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri përfaqësohen nga projekti TAP që sjell shuma të konsiderueshme në 2-3 vjet sa ndërtohet tubacioni, por nuk lë aktivitete të mëtejshëm e punësim të qëndrueshëm, vetëm sezonal.
Shqipërisë i duhen përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga varfëria relative 40% të popullsisë, etj.
Zhurma e madhe për aferat korruptive të mazhorancës dhe ‘temperaturat’ e lëkundura e të paqëndrueshme të koalicionit janë një barrë psikologjike për biznesin dhe popullsinë. Kjo situatë nuk nxit asnjë biznes që të zgjerohet e të investojë, të krijojë vende të reja pune, të rrisë pagat, pra të kontribuohet në rritje e konsumit.
Në anën tjetër, zgjedhjet janë një katalizator i tkurrjes së mëtejshme të zhvillimit real të ekonomisë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Ato nuk frymëzojnë entuziazëm ekonomik, por frikë e pasiguri. Emocioni negativ tkurr biznesin dhe e detyron atë të punojë në kapacitete bazike.
Premtimet nuk ngjisin dhe nuk besohen as nga biznesi, as nga popullsia e për rrjedhojë, ato çojnë në ulje të mëtejshme të konsumit, që në Shqipëri është anemik. Investimet pothuajse zerohen, punësimi për pasojë frenohet në sektorin privat e rritet artificialisht për militantët në sektorin shtetëror.
Burokracia, mungesa e transparencës, klientelizmi, korrupsioni si tipare të sotme të të bërit biznes në Shqipëri, shtojnë rrezikun për të investuar. Investitorët e huaj frenohen të vijnë e vendasit të zgjerohen apo të ndërmarrin iniciativa të reja.
Në kohë fushate, nën këtë qeverisje kanë filluar të lulëzojnë tenderët e sektorit publik, pra shpenzime të shpejta elektorale, të drejtuara nga klientelizmi. Shpërdorohen buxhetet qendrore e lokale për efekte elektorale, prishen ekuilibrat makroekonomikë, luhaten politikat fiskale.
Kështu ekonomia do të vazhdojë rritjen anemike të pabazuar në prodhim e produktivitet, por në investime sporadike publike e të huaja. Veç TAP-it, shumë investitorë janë larguar duke lënë pas procese gjyqësore me qeverinë.
Zgjedhjet po sjellin rritje informaliteti dhe fluktuacione në të ardhurat e buxhetit (taksa, tatime e doganat).
Pra, muaj të vështirë, nga shumë pikëpamje na presin.
Ndërsa Reforma në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse një zhurmë tjetër elektorale, që nuk nxit vendimmarrjet zgjeruese e rritëse për sipërmarrjen, por kujdesin, tkurrjen, mbylljen e vendeve të punës, varfërimin e mëtejshëm të të varfërve, goditjen e shtresës së mesme. Rezultatet që deklarohen janë vetëm në letrat e premtimet e qeverisë.

 

Guxholli:

Burokracia, mungesa e transparencës, klientelizmi, korrupsioni si tipare të sotme të të bërit biznes në Shqipëri, shtojnë rrezikun për të investuar.

 

monitor 767.inddSituatat e paqarta paralizojnë institucionet, ngjallin korrupsion masiv

Flet Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Industria Shqiptare e Ushqimit”

Sa herë që ka zgjedhje, katër-pesë muajt përpara datës së votimit situata që krijohet e ‘tremb’ disi sipërmarrjen. Natyrisht që ndikimi më i madh është kur bëhet fjalë për investime të mëdha, serioze, ndërsa për ato të zakonshmet, të rutinës së një biznesi vazhdojnë të zbatohen.
Situatat politike jo të qarta në vend dhe natyrisht zgjedhjet bëjnë që investitorët dhe sipërmarrësit të qëndrojnë në gjendje “stand by” për të kuptuar se cila do të jetë vendimmarrja. Rreziku më i madh është për ato biznese që parashikojnë të marrin kredi, për shuma që mund të shkojnë deri në 2 milionë euro dhe në këto kushte, ato mund të gjenden përballë vendimit për ta pezulluar ose për ta shtyrë në një kohë tjetër.
Askush nuk do të kishte guxim që të bënte një veprim të tillë në situata të paqarta politike, kur deklarohet se do të nisin protestat pa kthim e kur koalicionet “kërcënohen” herë pas here.
Dy janë sjelljet që ngjallin këto gjendje politike: paralizë të institucioneve publike dhe korrupsion masiv. Në këto kushte, vendimmarrja për të bërë investime të mëdha e serioze është e vështirë.
Në rastin e tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, për sipërmarrjet e huaja ka disa avantazhe dhe dizavantazhe. Ndër aspektet më të favorshme mund të përmendim: koston e ulët të punës, pozicionin e favorshëm gjeografik, klimën, por edhe një sistem fiskal që të paktën në letër është i mirë për investitorët e huaj.
Por, përballë këtyre qëndrojnë ‘telashet’ dhe problemet që, jo pak herë i skandalizojnë investitorët: pronësia e paqartë me tokën, e cila vështirëson ngritjen e investimit, zvarritjet e pafundme në gjyqësor që të japin të drejtën në letër, por jo në praktikë, si dhe burokracitë e tepërta.
Investitorët që mund të jenë gjermanë, austriakë etj., kërkojnë racionalitet në gjykim, gjë që nuk e gjejnë këtu. Administrata jonë është e ngadaltë dhe shpesh e papërgjegjshme dhe kjo shkakton lodhje dhe kosto pa fund.
Ndërsa fillimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi e konsideroj si një sinjal pozitiv që vjen për sipërmarrjen, qoftë vendase apo të huaj. Njerëzit do të fillojnë të besojnë se do të mund të gjejnë të drejtën në sistemin gjyqësor dhe se niveli i korrupsionit do të jetë më i ulët, të paktën teorikisht.

 

Zusi:

Askush nuk do të kishte guxim që të bënte një veprim të tillë në situata të paqarta politike, kur deklarohet se do të nisin protestat pa kthim e kur koalicionet “kërcënohen” herë pas here.
Dy janë sjelljet që ngjallin këto gjendje politike: paralizë të institucioneve publike dhe korrupsion masiv. Në këto kushte, vendimmarrja për të bërë investime të mëdha e serioze është e vështirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button