Ekonomia

Fondet për ndihmën ekonomike u rriten me 13% më 2016, por qeveria me një VKM të “fshehtë” kufizon përfitimin në vetëm 5 vjet

Fondet dedikuar ndihmës ekonomike nga viti në vit kanë pësuar luhatje të mëdha, si pasojë e ekspozimit të skemës ndaj manipulimeve, fondeve të kufizuara buxhetore dhe një reformë që ka ndërmarrë qeveria së fundmi. Fondet e ndihmës pësuan rritje me 13 për qind më 201 , pas një rënie me 22 për qind më 2015, sipas te dhënave nga Ministria e Financave.

 

Por me hyrjen në fuqi së fundmi ( 28 janar 2017) te një vendimi qeverie, fondet për ndihmën ekonomike pritet të ulen më tej.

 

Vendimi  i qeverisë numër 955 i datës 7 dhjetor 2016 kufizon dhënien e ndihmës ekonomike në vetëm 5 vite. Ky vendim që cenon mbrojtjen e shtresave më të varfra të popullsisë kaloi në heshtje pasi qeveria nuk e publikoi në webin zyrtar të saj, bashkë me vendimet e tjera që u miratuan në atë ditë.  Pasojat e tij u morën vesh pasi VKM -ja u botua në Fletoren zyrtare me datë 27 janar.

 

Sipas vendimit të qeverisë “ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet. Por ky kufizim nuk mund të aplikohet për familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune dhe familjet me kryefamiljare gra.

 

Sipas VKM tavani i ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.

 

Gjatë viteve 2014 dhe 2015 rreth 25 mijë familje kanë dalë nga trajtimi me ndihmë ekonomik sipas të dhënave të INSTAT. Numri tyre  ka ardhur në ulje edhe për 2016, por ende nuk janë azhurnuar të dhënat finale vjetore.

 

Por fondi i ndihmës ekonomike është shumë i ulët në krahasim me minimumin jetik që ka vlerësuar Avokati i Popullit.  Pagesa maksimale për ndihmën ekonomike është aktualisht maksimumi 8 mijë lekë në muaj, ndërsa një studim i Avokatit të popullit thotë se, minimumi jetik është 16 mijë lekë për person në muaj.

 

Sipas studimit të Avokatit të Popullit rreth 7 mijë lekë i nevojiten çdo personi për ushqime dhe afro 9 mijë lekë për shpenzime të tjera joushqimore, për të siguruar jetesën minimale, bazuar në kriteret shkencore të varfërisë absolute.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button