Ekonomia

Europë-SHBA me 65 euro, nga qershori nisin fluturimet “low cost”

Ndërsa në Shqipëri me 60 euro mund të fluturosh vetëm drejt Italisë, konkurrenca në Europë po mundëson që edhe fluturimet ndërkontinentale të kryhen me çmime tepër të ulëta…

Rruga është e pazakontë. Data nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Por, të dyja së bashku janë të destinuara për të ndryshuar botën e fluturimeve transatlantike. Për të mos folur pastaj për koston, shkruan Corriere.it.

Nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda për në bregun lindor të SHBA-ve mund të shkohet me 65 euro, duke përfshirë taksat, rreth dhjetë herë më pak se shifrat aktuale. Për dhjetë mijë biletat e para. Të gjithë të tjerët do të paguajnë bileta duke filluar nga 99 EUR.

Lufta e çmimeve në rrugën Evropë-Amerikë e Veriut po hap një kapitull të ri. Në 17:40 me orën lokale të 17 qershorit, Air Norwegian International, filiali Irlandez i kompanisë norvegjeze me kosto të ulët, do të ngrejë në fluturim nga Edinburg Aeroporti avionin e parë super efikas Boeing 737 Max – me 189 vende – me destinacion Hartford, Connecticut, plot 209 km nga Nju Jorku dhe 177 km nga Bostoni.

Kompania ajrore, ka njoftuar se nga vera e ardhshme do të nisë dhjetë rrugë të reja të fluturimeve të tjera të gjata me kosto të ulët – mbi Atlantik – nga Belfast, Cork, Dublin, Edinburgh dhe Shannon drejt SHBA në qendrat Hartford, Newburgh (97 km nga Manhattan) dhe Providence (95 km nga Bostoni).

Këto aeroporte amerikane, konsiderohen “dytësorë “, duke pasur parasysh distancën nga qytetet e mëdha, por do të lejojnë kompaninë norvegjeze të ulë në tokë avione më të vegjël, duke paguar taksa më të ulëta dhe duke e mbajtur kosto të ulëta operative.

Kompania, megjithatë, shpjegon se, për shembull, Providence është afër hekurudhës që të çon në Boston, ndërsa për ata që do të zbresin në Hartford, kompania është duke punuar për një marrëveshje me një kompani transporti me autobus për të çuar pasagjerët direkt në New York.

Bileta kaq të reduktuara do të thotë se pothuajse të gjitha shërbimet në bord konsiderohen shtesa dhe pastaj duhet të paguhet veçmas. Për shembull: zgjedhja e vendit, ushqimi, kontrolli i bagazheve.

Reagimi i Air France-Klm, Lufthansa

Këto çmime kanë vënë nën presion “transportuesit tradicionale”, që me siguri nuk do të rrinë duarlidhur. IAG (mëma e  British Airways, Iberia, Aer Lingus dhe e kompanisë spanjolle me kosto të ulët Vueling) këtë vit do të nisë fluturime të lira ndërkontinentale nga Barcelona, që do të bëhet edhe një nga bazat e fluturimit në SHBA të kompanisë norvegjeze.

Air France-KLM është duke punuar për “Boost”, një projekt, që do të mundësojë  krijimin e njësisë me kosto të ulët për lidhjet transatlantike. Lufthansa është duke investuar shumë te Eurowings, që pasi të jetë bashkuar me Germanwings do të rrisë fluturimet jashtë Europës në sajë të flotës së Bruksel Airlines. E gjitha kjo në një treg, ku pritet fillimi i fluturimeve Ryanair- Norwegian, të planifikuara verën e ardhshme.

Nga Shqipëria, me 60 euro mund të shkosh vetëm në Itali

Shqipëria, me një aeroport të vetëm, është mjaft e kushtueshme për udhëtarët e saj, që mesatarisht paguajnë mbi 150 apo 200 euro për të udhëtuar drejt Europës, ndërsa fluturimet transkontinentale kushtojnë 800-1000 euro.

Muajt e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të çmimeve të fluturimeve drejt Italisë, që është dhe destinacioni kryesor i vendit, me rreth 50% të pasagjerëve, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës. Krahas AlItalia në treg operojnë dhe Blue Panorama dhe Fly Ernest).

Për destinacionet e tjera, shumë shqiptarë po preferojnë aeroportet e rajonit, sidomos Shkupin, ku mund të shkohet në shumë destinacione të Europës me më pak se 100 euro, përmes kompanisë Wizz Air, që subvencionohet edhe nga shteti maqedonas.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button