Home / Ekonomia / Midhja në embargo, prodhuesit në Butrint kërkojnë heqjen e barrierave

Midhja në embargo, prodhuesit në Butrint kërkojnë heqjen e barrierave

Bizneset e kultivimit të midhjeve në Ksamil e Butrint janë duke pritur prej gati dy dekadash rënien e barrierave ndërkombëtare për eksportin e këtij produkti.

Rudina Beqaj veterinere pranë Qendrës së Depurimit të Midhjes në Ksamil thotë se me kalimin e viteve cilësia e produktit ka ardhur duke u përmirësuar. Rastet e midhjeve me ngarkesë fitoplanktoni, salmonele apo ngarkese toksike kanë qenë shumë të rralla.

“Mund të themi se midhja është e pastër. Zakonisht në periudhën e shirave mund të themi që kemi një ndotje, sepse është normale”, tha Rudina Beqaj.

Ministrja Ikonomi nga Qendra e Depurimit të midhjes në Ksamil tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur standartin e kërkuar të cilësisë prej tregut europian ndërsa sipas saj negocimet për rivlerësimin e produktit kanë ecur mirë.

“Midhja është një produkt që natyrisht mund të gjejë vend në BE të tregtuar, po para se të shkojë ai duhet të plotësojë disa kushte të sigurisë ushqimore. Ato nuk lidhen vetëm me produktin vetë, po mjedisin ku rritet produkti që ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm të ujërave ku midhja jeton dhe sistemi i monitorimit të jetë i qëndrueshëm”, tha znj, Ikonomi.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Industrisë së Kosovës Hykmete Bajrami e cila vizitoi qendrën në krye të një delegacioni bisnesmenësh nga Kosova tha se edhe ky produkt shqiptar do të bëhet së afërmi pjesë e tregut Kosovar.
“Të gjitha produktet që vijnë nga deti që ne i kemi në mungesë të madhe i eksportojmë nga vendet që  ndoshta nuk jemi shumë të sigurtë për ciëlsinë e tyre. Këtu kemi mundësinë të shohim vetë plantacionet”, tha ministrja Hykmete Bajrami.

Liqeni i Butrintit me sipërfaqe rreth 1600 ha numëron aktualisht rreth 80 impiante midhjesh prej të cilave gati 72 janë eficente.

Leave a Reply

Your email address will not be published.