Kronika

Afatet për dosjen, kur nis gara për licencimin e farmacistëve të rinj

Testimet e para të 2017-ës, për licencimin e farmacistëve të rinj do të zhvillohen përgjatë muajit maj. Janë me qindra kandidatët të cilët do të konkurrojnë për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit, ku pjesa dërrmuese prej tyre do të hyjnë për të disatën herë në provimin shtetit, pasi dështuan me pikët e fituara në provimet e sezoneve të shkuara.

Kandidatët që konkurrojë për herë të parë gjatë këtij sezoni duhet të kalojnë edhe në një tjetër testim, atë të praktikës profesionale që është parashikuar të zhvillohet në nisje të muajit të ardhshëm.

Drejtuesit e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se regjistrimi i kandidatëve për provimin e shtetit të sezonit maj 2017, do kryhet nga data 6-10 prill pranë zyrave të këtij urdhri. Kandidatët që do të japin provimin e licencës për herë të parë gjatë këtij viti, duhet të dorëzojnë dosjen e kërkuar të dokumenteve, e cila duhet të përfshijë:

“Formular aplikimi, fotokopjen e kartës  së identitetit, fotokopje të noterizuar të diplomës universitare dhe listës së notave, kërkohet edhe kopje e noterizuar e suplementit të diplomës, dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga Urdhri i Farmacistit pasi të keni kaluar me sukses provimin e praktikës profesionale që njihet si VAP).

Në dosje duhet të përfshini edhe dëshminë e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar), raport mjeko ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk jeni në ndjekje penale, 2 fotografi si dhe mandat pagesën prej 10 mijë lekësh të derdhur në llogari të Agjencisë Kombëtare të Provimeve”.

Rinovim të dokumenteve duhet të bëjnë edhe kandidatët që do të hyjnë në provimin e licencës për dytën apo të tretën herë.

Për këtë kategori, autoritetet e këtij urdhri bëjnë me dije se në dosjen e kërkuar duhet të përfshijnë: kërkesën e aplikimt, kopjet e noterizuara të dokumenteve të identitetit, si dhe formimit universitar në profilin përkatës, raportin mjeko-ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria se nuk janë ndjekje penale, fotografitë, si dhe mandat pagesën, vlera e të cilës varet nga hera e pjesëmarrjes në provimin e shtetit.

Çka do të thotë se kandidati do të paguajë tarifë më të lartë provimi nëse hyn në testim për herë të dytë, të tretë, e kështu me radhë.

Referuar rregullores mbi procedurën e dhënies së provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara, kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës.

Këta kandidatë duhet të qëndrojnë për muaj të tërë pa punë, duke qenë se duhet të presin sezonin e fundvitit për të hyrë sërish në këtë provim. E vetëm nëse do mund të kalojnë, do të pajisen me licencën për të vijuar më tej me procedurat e punësimit përgjatë vitit që vjen.

Nëse kandidati nuk paraqitet në provim në orarin dhe ditën e përcaktuar, si dhe kur tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit.

Tërheqja nga testimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit. Gjithashtu, edhe nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta japë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të hyrjes në provim.

Ligji për licencimin e këtyre profesionistëve nëpërmjet provimit të shtetit përcakton se: “Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar”.

Ditën e provimit, çdo kandidat që është pjesë e listës së zbardhur nga AKP, duhet të ketë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe mandat pagesën nëpërmjet të cilës dëshmon tarifën e derdhur për llogari të dhënies së provimit të shtetit. Pak ditë para dhënies së provimit, AKP, detajon edhe kalendarin me datat dhe oraret se kur duhet të paraqitet çdo kandidat për të dhënë provimin e licencës.

Dokumentet për kandidatët që hyjnë për herë të parë në provimin e licencës:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave.
  • Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës.
  • Dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP).
  • Dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar).
  • Raport mjeko ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale.
  • Mandat pagesa në llogari të AKP, tarifa e testimit varet nga herët e hyrjes në provim).
  • 2 fotografi, format pasaporte.

Datat e testimit për secilin kandidat

Para se të hyjnë në provimin e licencës, të gjithë kandidatët që nuk kanë dhënë, ose nuk kanë kaluar vlerësimin e njohurive të fituara gjatë ndjekjes së praktikës profesionale, duhet që të japin edhe një tjetër provim në nisje të muajit prill. Rezultatet e këtij provimi janë vendimtare për të hyrë më pas në garën konkurruese për të fituar licencën.

Sipas Urdhrit të Farmacistëve, afati i fundit i dorëzimit të dosjeve dhe i regjistrimit për provimin e vlerësimit të aftësimit praktik (VAP) është data 22 mars. Praktikantët që i nënshtrohen provimit në mënyrë  të përsëritur, duhet të paraqesin brenda datës së përmendur kërkesën dhe mandatin e pagesën e hyrjes në këtë provim. Testimi në këtë rast do të organizohet në ambientet e Urdhrit në datat 3-5 prill, sipas grafikut të detajuar në vijim të shkrimit.

“Në datën 3 prill do të paraqiten për të dhënë provimin praktikantët me numër dosje 2284-2321, në datën 4 prill do testohen praktikantët me numër dosje 2322-2359, në datën 5 prill do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 2360-2396, si dhe praktikantët që e kanë kryer praktikën në periudha të mëparshme. Praktikantët që i nënshtrohen këtij testimi, ditën e provimit duhet të kenë me vete kartën e identitetit.

Tarifa e hyrjes për herë të parë në provimin e praktikës është 10 mijë lekë, ndërsa për kandidatët që do të japin këtë provim si përsëritës, tarifa do të jetë 5000 lekë. Urdhri i Farmacistit ka shpallur tashmë online edhe 255 pyetjet që do të jenë pjesë e testit të praktikës, rezultatet të cilit janë vendimtare më pas për të hyrë në provimin final të licencës që do të zhvillohet përgjatë muajit maj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button