Home / Ekonomia / Kërkesat e para për impiante energjie diellore në Fier

Kërkesat e para për impiante energjie diellore në Fier

Në Shqipëri janë rritur aplikimet për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga panelet diellore. Kërkesa konkrete janë depozituar në Ministrinë e Energjisë për një central në zonën e Topojës në Fier. Bëhet fjalë për investime private me një fuqi të instaluar deri në 2 megavat, pothuajse sa një hidrocentral i vogël.

“Janë bërë dy aplikime deri tani dhe po vazhdon një i tretë. Janë deri në 2 megavat, brenda pritshmërisë që kemi ne, të cilat i kemi në përpunim e sipër”, thotë Gjergj Simaku, drejtor i Energjisë së Rinovueshme, MEI.

Autoritetet synojnë të tërheqin investime të mëdha me fuqi të instaluar prej qindra megavatësh. Por në çdo rast kërkohet që, sipërfaqet që do të mbulohen me panele të jenë toka jobujqësore, ose me prodhimtari të ulët.

“Nëse Shqipëria ka të disponueshme një sasi toke, që mund të jetë një tokë e kripur diku, dhe është e bindur që aty mund të vendosen panelet fotovoltaikë të një niveli më të lartë sesa 2 MË, atëherë organizohet një ankand. Ankandi nuk ka kuptimin e tenderit, por kuptimin e përfitimit të çmimit të ulët të shitjes së energjisë”, thekson më tej Gjergj Simaku.

Por energjia nga dielli mund të kthehet në një opsion të leverdisshëm edhe për qytetarët. Një çati me panele diellore mund të mbulojë një konsum mesatar mujor prej 500 kilovatësh. Prodhimi zgjat deri në 25 vite dhe kostoja mbulohet brenda 8 viteve të para. Për investime të tilla nuk nevojitet licenca nga ERE, madje energjia e tepërt mund të hidhet në rrjetin e OSHEE-së.

Leave a Reply

%d bloggers like this: