Kronika

Llalla: Nën hetim për korrupsion, zyrtarë të nivelit të lartë

takimi-rumani-466x350Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, prezanton kontributin e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në Konferencën “Mbi korrupsionin dhe Shoqërinë”, zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdhenj në sistemin e drejtësisë, 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u fokusua pikërisht në këtë sintezë në fjalën e tij, në konferencën “Mbi korrupsionin dhe Shoqërinë”, e cila u zhvillua në Bukuresht, Rumani, ditën e Martë me rastin e 25-vjetorit të përfundimit të rregjimit totalitar në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore.

Duke bërë një prezantim të shkurtër të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri prej vitit 1990 e në vijim, Llalla u bëri të ditur të pranishmëve dy nga prioritetet aktuale të prokurorisë shqiptare; luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë u shpreh para të pranishmëve mbi rezultatet konkrete, kryesisht në nivele të mesme dhe të larta të administratës publike dhe shtetërore. “Aktualisht, krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, theksoi Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm, duke iu bërë të ditur të pranishmëve se legjislacioni shqiptar tashmë e konsideron korrupsionin krim të rëndë, i cili hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, deklaroi se kjo strukturë e posaçme po përballet me një fluks gjithnjë e në rritje të investigimit në këtë drejtim. “Ka pak më shumë se tre muaj që korrupsioni i zyrtarëve të lartë është kompetencë e hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri. Nga volumi i deritanishëm i punës, vlerësohet se është e nevojshme shtimi i kapaciteteve njerëzore, pasi numri i hetimeve për korrupsionin në nivele të larta po pëson një rritje të ndjeshme”.

Më tej, Llalla, vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrrupsionit. “Kam rreth dy vjet në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe konstatohet se po konsolidohet ndjeshëm komunikimi ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohet prioritet kombëtar”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Nga ana tjetër, fokusi i prezantimit të prokurorisë shqiptare në takim ishte edhe tek lufta kundër krimit të organizuar. Për të përballuar këtë sfidë që i kalojnë kufijtë e një shtetit, Prokurori i Përgjithshëm vuri theksin tek bashkëpunimi ndërkombëtar. “Në bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po punon për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. Këto struktura janë një mënyrë efikase e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet shteteve të ndryshme për luftën kundër trafiqeve dhe krimit ndërkufitar”.

Konferenca e Bukureshtit është organizuar nga  Komisioni Parlamentar i Rumanisë për Aksesin në Zonën Shengen, në bashkëpunim me Institutin Aspen të Rumanisë, Lëvizja Noastra në Rumani, Shoqëria Akademike, Fondacioni për Zhvillim Partneriteti, si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, Ministrisë së Drejtësisë, Komisioni Europian në Bukuresht, Ambasada Italiane në Bukuresht si dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rumani.

Konferencë kishte në fokus Transparencën dhe Anti-Korrupsionin në Vendet Post Komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore. Në këtë aktivitet, ku përshëndetën zyrtarët më të lartë të Rumanisë, morën pjesë personalitete të vendeve të ndryshme, titullarë të institucioneve në vendet e Europës, gjyqtarë, prokurorë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë si Komisioni i Bashkimit Europian, Departamenti i Shtetit, OECD, Banka Botërore, Këshillit i Europës, etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button