Ekonomia

Sejko me BERZH: Sfide rritja e kredisë për ekonomine

Ne Qipro u zhvillua mbledhja vjetore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me temë “Të synojmë një rritje të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse, njohje me sfidat rajonale dhe globale”, në të cilën ishte i pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare. Ndër këto veçojmë takimin me Holger Muent, Drejtor për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Peter Sanfey, Zëvendësdrejtor i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve në BERZH, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të BERZH-it.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit si dhe reduktimi i kredive me probleme. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në rreth 17.4%.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për kontributin e rëndësishëm lidhur me angazhimin nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe i ftoi të vazhdojnë të vlerësojnë potencialet që ofron Shqipëria.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme në fushën e sistemit financiar dhe më gjerë. Përfaqësuesit e BERZH-it, vlerësuan potencialet e vendit dhe shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë si turizmi, agroindustria, etj.

Gjithashtu, gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it diskutuan së bashku me Guvernatorin Sejko, lidhur me avantazhet e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të rajonit. Të dyja palët theksuan se një treg më i gjerë vlerësohet si një mundësi mjaft e mirë për të tërhequr investitorë dhe financime më të mëdha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button