Ekonomia

Depozitat në rritje të lehtë, më në fund po zgjerohen kursimet në lekë

Depozitat në sistemin bankar kanë shënuar një rritje të lehtë në muajin prill, duke u zgjeruar me 981 milionë lekë, për të arritur në 999 miliardë lekë. Ky përmirësim vjen pasi kursimet e bizneseve dhe individëve shënuan rënie për 4 muaj radhazi.

Ndryshe nga muajt e kaluar, kur ishin kursimet në valutë ato që orientonin rritjen e valutave në prill ka qenë leku që ka mbizotëruar.

Depozitat në lekë janë zgjeruar me 2.6 miliardë lekë me bazë mujore, apo me 0.5%, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të kursimeve të korporatave financiare. Megjithatë, kursimet me afat të individëve në lekë kanë vijuar tendencën rënëse që e kanë nisur prej shumë muajsh radhazi, që kur interesat e depozitave u ulën në vlera minimale (për kursimet 12 mujore ato janë rreth 1%).

Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë shënuar tendencë rënëse, edhe si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, që është monedha kryesore që ruhet valuta. Në prill rënia ishte me 1.6 miliardë lekë.

Gjithsesi, depozitat në valutë vijojnë të zënë peshën më të lartë, me 52.3% të totalit. Kjo tendencë ka shqetësuar Bankën e Shqipërisë e cila po harton së fundmi një strategji të de-euroizimit, teksa synon që të ulë përdorimin e euros në vend.

Ndonëse një nga vendet me të ardhura për frymë ndër më të ulëtat në Europë, shqiptarët rezultojnë një popull mjaft kursimtar dhe kanë një pasuri të lartë në depozita.

Sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të depozitave në banka, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon, prej 70%.

Pas nesh, në renditje është Bullgaria, me depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%.

Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%. Pak më lart është Sllovenia me 53%.

Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button