Home / Arte / Teater / Kiço Londo: Ja si do të jetë teatri ekspetrimental

Kiço Londo: Ja si do të jetë teatri ekspetrimental

 

kicoNga Fatmira Nikolla

Teatër Oratorie, Teatër për Fëmijë, për Adoleshentë e për artistë, një laborator arti ku ndërsa një palë eksperimenton, një tjetër gjen alternativën e munguar. Ky do të jetë Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ish-Komedia) nën drejtimin e Kiço Londos, i cili teksa prezanton kalendarin dyvjeçar me emrat e klasikëve, premton se nuk do të drejtojë një teatër tradicional. Premiera e parë do të jetë për fëmijë(11 tetor), në një teatër ‘akull të ri’, që nga drejtuesi, tek bordi, por edhe nga pamja e godinës, që i kthehet 1938-ës, pa rënduar shtetin, restauruar me fonde donatorësh, duke marrë shembull nga Kryeministria. Në krah të pishinës që do i kthehet publikut, njeriu që njihet si ndërtues teatrosh, Kiço Londo mbajti një konferencë për mediat për të prezantuar mënyrën e funksionimit të teatrit, repertorin dhe duke sqaruar se nuk ka trupë fikse, por (10) artistë të punësuar me kontrata deri në 1 vjeçare.

Repertori i bordit të ri
Një bord i ri, i një teatri të ri, me një drejtor e staf të ri, ka 7 emra, që në fakt janë femra. Se pse janë femra, Londo premtoi ta thotë në muajt në vijim, gjatë një shfaqje-takimi(në bashkëpunim me Teatrin Shëtitës) ku do të tregohet një përrallë… Gjithë ç’mund të thuhet është se një gazetare është kryetare e bordit, Alida Cenaj dhe më pas vijnë si anëtare: Prof. Elida Rapti – Pedagoge e psikologjisë në U.Arteve; Ilirjana Dema, muzikologe, Pedagoge e solfezhit në UA; Geraldina Prodani – Sek.përgj në Ministrinë e Financës; Ledia Mirakaj – Drejtore në Ministrinë e Kulturës; Rina Çela-Grasset, sociologe, përkthyese, punonjëse në Bashkinë e Lionit dhe piktorja e re Laureta Halilaj.
Formula e pjesëve që vihen në skenë në TKEKS është ndryshe nga teatrot e tjerë. Bordi Artistik ka përzgjedhur pjesët dramaturgjike për këto dy vite dhe regjisorët do të sjellin pranë teatrit konceptet e tyre regjisoriale për veprat në fjalë. Vendimin se cili regjisor e merr shfaqjen e jep titullari i institucionit(Londo) dhe drejtori i zhvillimit(Ada Ruci). Këta dy të fundit përcaktojnë edhe kalendarin e shfaqjeve.
Repertori i prezantuar dje merr jetë në dy vitet e ardhshme(2014-2016) dhe janë dy vepra të Shekspirit “Makbeth” dhe “Hamlet”, është Anton Çehov me “Tre motrat”, si edhe “Arturo Ui” i Bertolt Brecht, “Shiko kush erdhi” i Ray Cooney, “Gënjeshtër për gënjeshtër” i Anthony Neilson, “Tradhëtia e Anjshtajnit” i Eric Emmanuel Schmitt, “Njeriu që pa vdekjen me sy” i Viktor Eftimiut, “Pas vdekjes” i Andon Zako Çajupi, muzikali “New York, New York” i Earl Mac Rauch, muzikali “Mbreti luan”, “Mbretëritë Magjike” të Giambattista Basile, “Gjëja më e pabesueshme në botë” e Hans Christian Andersen, “Një dhëndër për miushen” e Andrew Lang. “Derrkuci mbret” e Giovanni Straparola, “Burimi që të rinon” i Lafcadio Hearn dhe “Uji që vallëzon, Molla që këndon dhe Zogu që flet” nga Thomas Crane.

Një festival dhe disa teatro brenda teatrit

Në fjalën e tij, Kiço Londo, sqaroi idenë e tij për Teatrin Eksperimental, një laborator skene me teatër për fëmijë, për të rritur, për adoleshentë, për oratori, ku ndërsa artistët eksperimentojnë, publiku gjen një alternativë, që nuk e gjen në teatrot e tjerë. Në këtë kuadër ai prezantoi “Festivalin e Aventurës”, ku veprat “Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe “Pas vdekjes” do të vihen në skenë nga pesë regjisorë të ndryshëm, nga pesë trupa të ndryshme, me pesë kostumografi dhe pesë skenografi të ndryshme. “Shfaqjet do të jepen në 6 rajone të ndryshme të Shqipërisë për tu takuar një ditë të vetme në Tiranë gjatë festivalit ku do të përzgjidhen, shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, skenografi më i mirë, aktori dhe aktorja më e mirë. Nëse shfaqja fituese vlerësohet se i përmbush kriteret e nevojshme nga Bordi Artistik i TKEKS, atëherë ajo do të bëhet pjesë e repertorit të vitit në vijim”, tha Londo, duke prezantuar një konkurrencë që i kthen sytë nga shqipja në skenë. Mandej, Londo theksoi se do që të bëjë hapësirë të teatrit edhe pjesën e pedonales, ku do të vihen shfaqje për fëmijë duke e bërë zonën pedonale artistike.
“Pjesën e teatrit përballë pishinës, do i propozojmë ministres ta bëjmë teatër për adoleshentë. Duam që zonën e pishinës t’ia kthejmë publikut. Më pëlqen kur në të lahen artistët dhe familjarët e tyre, po dua më shumë të shoh publikun në këtë zonë. Dua që ata të vijnë të qëndrojnë këtu. Kjo zonë ka qenë njohur si zona ku rrinin njerëzit ‘dopolavoro’, po jo në kuptimin e pushimit të zakonshëm. Pushim kulturor në bibliotekë, në sallë vallëzimi e kinema”.
Teatri i dytë i propozuar prej Londos, është ai i Oratorisë Publike, ku figura të njohura të fushave të ndryshme, profesionistë Shqiptarë apo të huaj në sallën e teatrit do të mbajnë rreth një ligjëratë për të krijuar kështu kulturën e oratorisë publike. “Pashë (par)mbrëmë një emision televiziv, kur njerëz publikë debatonin për një prej temave (ngjarjeve) më të bujshme të ditëve tona. Më erdhi të pështyj televizorin, oratoria ishte në nivel ordiner”, tha Londo (mbase për emisionin televiziv ku u diskutua vjedhja e Bankës së Shqipërisë?), si për të treguar nevojën për teatër oratorie.

Edhe një konkurs për dramën shqipe

Pas përpjekjeve disamuajshe nga Teatri Kombëtar për të rigjallëruar dramën shqipe (me takim dramaturgësh e lexime skenike) edhe Teatri Eksperimental do të vërë gjurmët e veta në këtë lami. Në janar të 2015-ës, TKEKS do të hapë një konkurs për pesë sinopse ku do ketë 1 fitues. Më pas autori do të merret në rezidencë nga TKEKS ku për një periudhë 3-4 mujore së bashku me regjisorin dhe kastin e aktorëve të propozuar nga TKEKS do të zhvillojë pjesën dramaturgjike për të arritur në produktin final. Kjo është një formë që për herë të parë praktikohet në vendin tonë, por që ka një praktikë shumë të njohur mbarëbotërore.

Fondet e donatorëve

Teatri Kombëtar i Komedisë është në rikonstruksion, dhe pritet të marrë një tjetër pamje, ndërsa ambientet e tij, do ndryshojnë funksionin që kishin deri tani, për të nxjerrë hapësira të reja, e mbi të gjitha, ndërhyrja po bëhet për ta rikthyer godinën në gjendjen e saj fillestare, atë të vitit 1938. Çimentoja ka zënë hyrjen e tij, që pas punimeve nuk dihet në do jetë më hyrja e tij. I pyetur për shpenzimet, ose fondet që i janë dashur Londos ‘për të larë e lyer teatrin’, ai tha se nuk janë fonde publike, por ndihma donatorësh, njerëzish që e duan teatrin (edhe kryeministria u rikonstruktua me fonde donatorësh). “Meqë ju këmbëngulni, unë po ju them se tullat i ka sjellë një fabrikë nga Fieri, çimentoja erdhi nga Fushë-Kruja nga një mik i teatrit si Çim Babasi. Janë bërë me ndihma. Unë them se ata që kanë qenë deri tani, nuk kanë dashur ta bëjnë teatrin, sepse nuk ka nuk mundem, ka nuk dua. Kush do, mundet. Ata që ishin kanë dashur ta lënë siç ishte. Unë dua t’ia kthej teatrin publikut”,-theksoi Londo, duke sqaruar se edhe punëtorët janë ndihmës dashamirës dhe pa dhënë një shifër se sa shkon investimi në TKEKS.

Rikthimi i tretë + 1

Vite më parë, ai la teatrin “Çajupi”(shtetëror) për Teatrin Kombëtar. Më pas, i larguar nga Teatri Kombëtar (shtetëror) ngriti Teatrin e Metropolit(shtetëror). I larguar edhe prej aty, themeloi “Teatrin Shëtitës”(privat). Sot në krye të një institucioni tjetër shtetëror, interesimit tonë se ç’do të bëjë me “Shëtitësin” i përgjigjet: “Ai do të vijojë të jetë, por unë jam shkëputur prej tij. Kam disa projekte interesante në kokë, që po më pranuan ata që e drejtojnë (Shëtitësin) do ti vë në jetë nëse me mbetet kohë prej punës këtu. I takoj një herë në dy ditë, por jam shkëputur, nuk e drejtoj më ‘T.Shëtitës”, tha Londo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.