Home / Kronika / Gjyqi i Shullazit, dëshmia kontradiktore e Ylvi Beqajt

Gjyqi i Shullazit, dëshmia kontradiktore e Ylvi Beqajt

Gjatë dy orëve në të cilat mbylli dëshminë e tij, dëshmitari i drejtësisë Ylvi Beqajt ju përgjigj pjesës dërrmuese të pyetjeve të avokatëve me frazën: “Nuk më kujtohet”.

Refreni i Ylvi Beqajt provokoi humbjen e qetësisë për Emiliano Shullazin. “Dëshmitari duhet të shpjegojë akuzat që na sollën në burg sepse nuk po pyetet a e ka pirë kafen e mëngjesit, por sa lekë më paska dhënë në formën e gjobës”, ndërhyri i pandehuri.

Për të vendosur në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit të drejtësisë, avokatët kërkuan  informacion nga Ylvi Beqaj mbi njohjet e tij me pesë shtetas, me të cilët dëshmitari kishte patur kontrata borxhesh dhe me të cilët ka ende mosmarrëveshje.

Duke lënë të kuptohej se dëshmitari i drejtësisë nuk po tregohej i sinqertë deri në fund me gjykatën, mbrojtja këmbënguli se 20 dhe 30 përqindëshi i “Vollgeës”, është çështje civile për sa kohë ekzistojnë kontratat mes Shullazit dhe Ylvi Beqajt.

Ky i fundit kujtoi se kontrata me Shullazin ishte që ai të mbyllte çështjen “Vollga” deri në gjykatën e lartë, por aty ende nuk është zgjidhur, tha dëshmitari. “E ndryshova dhurimin e ish-“Vollgës” nga 20 përqind në 30 përqind nën kërcënimin e armës”, shtoi dëshmitari dhe “nuk kallëzova më herët pasi ata të vrisnin”.

Por Emiliano Shullazi e pyeti: Atëherë përse më prezantoje ngado si vëllai i vogël? Ylvi Beqaj këmbënguli se për ish-“Vollgën” nuk kishte gjetur ende zgjidhje në Gjykatën e Lartë, siç ishte rënë dakord në kontratë e për këtë i kujtoi frazën që i kishte përcjellë më herët në telefon përmes Endrit Qyqes.

“Ju thashë më ktheni lekët apo “Vollgën” se do jem unë halli juaj”, kujtoi Ylvi Beqaj, ndërkohë që Shullazi replikoi: është e imja, nuk e gëzon kush “Vollgën” përveç meje”.

Tani që dëshmia e Ylvi Beqajt përfundoi, me kërkesë të Prokurorisë do të pyeten në seancën e radhës ish-Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës, Ilirian Muho, dy noterë tek të cilat u përpiluan kontratat për ish-“Vollgën”, një juriste pranë Zyrës së Pasurive të paluajtshme dhe avokati Neshat Fana, i cili sipas dëshmitarit është njeriu që e prezantoi me Emiliano Shullazin për të zgjidhur punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.