Ekonomia

Epopeja e “Belle Air”, si po zvarritet falimenti, ringrihet një komitet i ri për kreditorët

Kompania “Belle Air”, e cila në vitin 2013 do të shpallte falimentin, është rikthyer edhe një herë në vëmendje, për shkak të mosfunksionimit të komitetit të kreditorëve që duhet të çojnë para procesin. Gjykata e Tiranës bëri me dije se, nga ana e administratores është ngritur si problem mospjesëmarrja e anëtarëve në mbledhje, duke bërë që procesi dhe përgjegjësitë që u ishin ngarkuar të mos avanconin.

“Sipas shpjegimeve të administratores së falimentimit në mbledhjet e thirrura prej saj apo dhe nga Komiteti i Kreditoreve, ka pasur shpeshherë moszhvillim të tyre, kjo për shkak se nisur nga numri i madh i anëtarëve të Komitetit të Kreditorëve (shtatë anëtare) një pjesë e mirë ka ndodhur që edhe pse njoftoheshin, nuk paraqiteshin” thuhet në vendimin e gjykatës i shpallur vetëm pak ditë më parë.

Duke mos qenë prezent në takime duket se anëtarët e komitetit nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre që lidhen ngushtë me mbikëqyrjen e aktivitetit të kompanisë dhe administratorit të falimentit.

Një pjesë e mirë e këtyre anëtarëve kanë qenë përfaqësues të palëve të rëndësishme të interesit ku mes të tjerash, banka ndaj të cilave “Belle Air” kishte akumuluar detyrime të larta, por duket se anëtarët e caktuar në këtë komitet kanë ndryshuar punë, duke mos qenë më drejtpërdrejt të përfshirë.

Komiteti, sipas vendimit të gjykatës, do të ketë vetëm 5 anëtarë në përbërje të tij, duke synuar lehtësimin e procedurës.

Detyrimet e “Belle Air”

Rasti i “Belle Air” ishte një nga më atipikët në Shqipëri kur kompania, edhe pse në vështirësi financiare lejoi rezervimet deri në mars të vitit pasardhës, duke bërë që mbi 52 mijë individë të përfshiheshin në vorbull.

Lista e borxheve të kompanisë përfshinte Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, por edhe disa banka. Në pretendimet që do të ngrinte në Gjykatë në vitin 2013, avokati i kompanisë do të deklaronte se borxhi ndaj të tretëve ishte rreth 52 milionë euro, kurse vlera e aseteve të kompanisë pak më shumë se 60 milionë euro.

Gjithsesi, për këto të fundit, u kërkua një vlerësim nga ekspert kontabël. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe ankandeve për të shitur asetet e kompanisë, flota e vogël e avionëve dhe pasuri të tjera kanë mbetur pezull për mungesë interesi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button