Home / Rajoni / BE i jep 209 milionë euro ndihmë Greqisë për emigrantët, kush përfiton

BE i jep 209 milionë euro ndihmë Greqisë për emigrantët, kush përfiton

Komisioni Europian i ka dhënë shetit grek një ndihmë emergjente prej 209 milionë euro, për refugjatët, të cilët ndodhen në tokën greke.

Programin e ndihmës e kanë komunikuar në Athinë, komisionerët përkatës të BE-së, Christos Stilianidis dhe Dhimitris Avramopoulos.

Qëllimi kryesor i kësaj ndihme është që të rritet deri në 30 mijë, numri i refugjatëve që brenda këtij viti, do të zënë shtëpi me qera në Greqinë kontinentale dhe në ishuj, ndaj dhe në këtë program, marrin pjesë edhe bashkitë e qyteteve të Athinës, Selanikut, Larisës, Kardhicës dhe Kretës.

Gjithashtu një shumë prej 57,6 milionë euro do t’u jepet refugjatëve në karta debiti mujore, për të mbuluar nevojat emergjente në ushqime, barna dhe lëvizjen me mjetet e shërbimit urban.

Në Greqi, rreth 62 mijë refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, jetojnë në kushte shumë të vështira në kampet pritëse të vendit, prej marsit të 2016-ës, kur shtetet ballkanike mbyllën kufijtë e tyre, duke ndërprerë fluksin drejt Europës Qendrore.
Financimi i ri do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e dhënies së ndihmës dhe do të përmirësojë jetën e këtyre njerëzve, duke i bërë ata që të ikin nga kampet dhe të integrohen në mënyrë të natyrshme, kanë theksuar komisionerët europianë.

“Për refugjatët dhe emigrantët, kjo është një mënyrë për t’u integruar më mirë në shoqërinë greke. Siç e tha një prej kryebashkiakëve, është tjetër gjë të jetosh në kamp dhe tjetër gjë të jetosh me dinjitet”, u shpreh Christos Stilianidhis, komisioneri i BE për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizës.

 “Europa është duke u testuar sot dhe në fund të fundit nuk është kriza financiare që rrezikon themelet e Europës, ashtu siç kanë besuar shumica, por është menaxhimi i krizës së refugjatëve”, tha Dhimitris Avramopoulos, komisioneri i BE-së për Emigracionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.