Rajoni

Kosova dhe Serbia – pa përparim në bisedimet për dinarin serb

I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se javën e ardhshme në Bruksel pritet vazhdimi i bisedimeve Kosovë – Serbi për çështjen e përdorimit të dinarit serb. Zoti Lajcak takoi të hënën kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar propozimet për gjetjen e një zgjidhjeje për personat e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme.

Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”,shkroi zoti Lajçak.

Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit të së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin më propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha se dallimi ndërmjet propozimeve të palëve është shumë i thellë, prandaj pati një pajtim për një takim të radhës për të parë nëse ka mundësi afrimi drejt një zgjidhjeje.

“Mendoj që pala jonë ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkoj te përdoruesi final pra pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore dhe korniza legjislative e vendit tonë”,tha ai.

Zoti Bislimi tha se janë duke kërkuar një zgjidhje siç tha praktike që nuk ka simbolikë, në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët, ndërsa shprehu bindjen se një zgjidhje është e mundshme. “Mendoj që është shumë lehtë, vetëm duhet vullnet politik i të dyja palëve”, tha zoti Bislmi

Kryenegociatori serb Petar Petkoviç, tha se propozimi i Serbisë është i baraspeshuar dhe merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë ndërsa sipas tij Prishtina nuk bëri asnjë hap drejt kompromisit.

“Kjo është ajo që më shqetëson më shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë, kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, tha zoti Petkoviç duke nënvizuar se Serbia do të vazhdojë të negociojë me gjithë fuqinë e saj për të arritur një zgjidhje.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur paqen dhe popullin tonë në Kosovë, të cilit po i shkelen të drejtat e njeriut dhe pengohen të marrin pagat, pensionet dhe përfitimet sociale për shkak të Prishtinës dhe (Albin) Kurtit”, tha ai.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Qeveria e Kosovës ka përsëritur se rregullorja e Bankës Qendrore është e panegociushme ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar qytetarët serbë që përballen me probleme për të marrë pagesat nga Serbia.

Kryetari i parlamenti të Kosovës Glauk Konjufca tha sot se qëndrimi i qeverisë është i qartë.

“Sa i përket kësaj se çfarë pasoja ka shkaktuar ajo, ato mund të adresohen secila në mënyrë të veçantë, sa i përket jetës praktike se si funksionon komuniteti serb atje, pagat, benefitet, pensionet, ato mund të gjendet ndonjë zgjidhje si të paguhen e kryhen këto, mirëpo a do të kthehet sërish dinari si çështje e valutës të transaksionit të Republikës së Kosovës unë nuk besoj që ka kthim mbrapa më”, tha zoti Konjufca.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar se shpreson që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë ndërsa theksoi se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button