Home / Rajoni / Pence përgëzon Malin e Zi: Rezistenca ndaj Rusisë, frymëzim për botën

Pence përgëzon Malin e Zi: Rezistenca ndaj Rusisë, frymëzim për botën

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence përgëzoi udhëheqësit malazezë për rezistencën përballë presionit rus, në ndalesën e fundit të turit të tij në Europën Lindore, që kishte si qëllim t’u jepte garanci aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Pence mbërriti në vendin e vogël ballkanik, anëtari më i ri i NATO-s, pas një vizite në Gjeorgji, ku ai dënoi pushtimin nga Rusia të territoreve të vendit në Kaukaz.

Gjatë një darke me presidentin malazez, Filip Vujanoviç, kryeministrin Dusko Markoviç dhe krerë të tjerë politikë malazezë, Pence tha se udhëtimi i tij në vendin me 620 mijë banorë dëshmon faktin se Amerika nuk ka aleatë të vegjël, por vetëm aleatë të fortë.

“Kurajoja juaj, veçanërisht përballë presionit rus, frymëzon botën dhe unë ju përgëzoj për këtë”, tha Mike Pence.

Pence e nisi udhëtimin e tij në Estoni, me shpresën për të qetësuar aleatët e shqetësuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë e Gjeorgji, por edhe për ndërhyrjen e thellë politike të saj në rajon, përfshirë atë që kishte si qëllim të ndalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Mali i Zi ka akuzuar Rusinë se ka arkitektuar një grusht shteti vitin e kaluar, për të dëmtuar aleancën e ngushtë të tij me Perëndimin. Dy shtetas rusë janë mes 14 personave, të akuzuar si pjesëmarrës në grushtin e supozuar të shtetit.

Gjatë ditës së sotme, Pence do të marrë pjesë në Samitin e Kartës së Adriatikut, një takim që mbledh udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: