Home / Sporti / Reali e fillon me spektakël, Dortmundi “fshin” Arsenalin

Reali e fillon me spektakël, Dortmundi “fshin” Arsenalin

Olimpiakos bën surprizën me fitoren ndaj Atletiko Madrid

Fitorja e Realit (2)Golat dhe emocionet e shumta deri në minutën e fundit të ndeshjeve kanë qenë hapja më e mirë për këtë edicion të Ligës së Kampioneve në tetë sfidat që u luajtën dje. Nëse nga njëra anë disa pretendentë për fitoren e trofeut si Reali e Juventusi kanë arritur të fitojnë lehtësisht ndaj rivalëve të tyre, e njëjta nuk mund të thuhet për finalistët e sezonit të kaluar, Atletiko Madrid, që është mundur në fushën e Olimpiakos duke vënë në diskutim kualifikimin e mëtejshëm.

Grupi A

Pikërisht rezultati i ndeshjes në Athinë do të regjistrohet si surpriza më e madhe e ndeshjeve të para. Atletiko Madrid ka shfaqur shumë pak nga loja e edicionit të kaluar, ndërsa grekët gjenin me lehtësi rrugën e rrjetës përballë mbrojtjes së shpërqendruar spanjolle që la shumë hapësira. Zgjimi i minutave të fundit, pasi Grizman shkurtoi diferencën në 3-2, ishte shumë i vonuar për Atletikon që tashmë do të duhet të mos gabojë thuajse asgjë në ndeshjet e tjera të grupit, ku bën pjesë edhe Juventusi. Skuadra italiane ka fituar 2-0 ndaj Malmoe falë Karlos Tevez, i kthyer te goli pas pesë vitesh e gjysmë heshtje në turneun më të rëndësishëm për klube. Dy golat e tij i dhanë tri pikët e para ekipit të Alegrit, që në këtë edicion ka vënë çerekfinalet si objektiv minimal.

Grupi B

Fitorja e Realit (1)Real Madrid, fitues në fuqi i Ligës së Kampioneve, ka treguar përsëri se në këtë turne nuk është aq i brishtë sa në kampionatin spanjoll dhe këtë e vërtetoi më së miri suksesi 5-1 ndaj Bazelit. Të katër lojtarët ofensivë të hedhur në fushë nga Ançeloti gjetën rrugën e rrjetës, por problematike duket disi prapavija ku përveç golit të pësuar, madrilenët u lanë hapësira kundërshtarëve të sulmonin disa herë rrezikshëm. Në ndeshjen tjetër të grupit, gjithçka ka qenë në diskutim deri në sekondat e fundit të sfidës ku Liverpuli ka mundur 2-1 debutuesit e Ludogorets, të cilët i shkuan shumë pranë një rezultati të bujshëm. Pas avantazhit të Balotelit, barazimi në minutën e parë shtesë nga ekipi bullgar pas një gafe të mbrojtjes angleze, bëri që në “Anfilld” të pllakoste heshtja. Por penalltia e transformuar saktësisht nga kapiteni Xherard në minutën e fundit të shtesës solli qetësinë në atë që ishte ndeshja e parë pas 5 sezonesh e të kuqve në këtë turne.

Grupi C

Monako është konfirmuar si pretendente për të kaluar në fazën tjetër të turneut duke regjistruar një fitore minimale ndaj Bajer Leverkusen. Një gjuajtje e devijuar e Mutinjos në pjesën e dytë i ka mjaftuar ekipit të principatës që të merrte tri pikët përballë gjermanëve, të cilët krijuan raste, por nuk arritën t’i konkretizonin. Ndërkohë, Zenit ka lënë shenjën e vet që tani në këtë grup, duke fituar në transfertën e vështirë kundër Benfikës. Rusët shënuan shpejt dy gola me Hulk dhe Vitsel, duke përfituar edhe nga kartoni i kuq i portierit Artur në radhët e ekipit vendas, që në minutën e 18-të. Më pas, Zeniti administroi rezultatin, i cili mund të kishte qenë më i thellë po të mos ishte për pasaktësinë e sulmuesve të skuadrës ruse.

Grupi D

Supersfida e ditës së djeshme ka qenë “klasikja” Borusia Dortmund-Arsenal, e përfunduar me një sukses të merituar për ekipin gjerman. Skuadra e Klop ka shfaqur një futboll mjaft të shpejtë sulmues, duke krijuar një mori rastesh me treshen Mkhitarian-Aubamejang-Imobile, ndërsa anglezët u zgjuan vetëm në fundin e pjesës së dytë, atëherë kur ishte shumë vonë për të pretenduar në kthimin e mundshëm të rezultatit. Surprizës i ka shkuar shumë afër edhe Besnik Hasi me Anderlehtin e tij. Skuadra e trajnerit shqiptar ka bërë një ndeshje të shkëlqyer në Stamboll ndaj Gallatasarajit vendas, duke kaluar në avantazh me anë të talentit Praet. Por një gabim në rreshtim në prapavijë kur shënohej minuta e 91-të e sfidës, i dha mundësinë Burak Jilmaz që të barazonte rezultatin, edhe pse tifozët e pranishëm në stadium e përjetuan këtë si një humbje për skuadrën e drejtuar nga Çezare Prandeli.

Leave a Reply

%d bloggers like this: