Home / Sporti / “Rusi 2018”: Shqipëria reziston 70 minuta, Italia i falet Candrevas

“Rusi 2018”: Shqipëria reziston 70 minuta, Italia i falet Candrevas

Një Shqipëri luftarake, e cila nuk u dorëzua për asnjë çast, por sërish, ashtu si edhe me Spanjën ishte eksperienca që na dënoi. Kuqezinjtë luftuan përgjatë gjithë 90-të minutave, por një gol i Candervës theu shpresat për të marrë të paktën një pikë.

 Italia ka festuar me fitore ndeshjen e 800-të për përfaqësuesen axurre, e cila përballej me Shqipërinë për të tretën herë. E mbyllur me humbjen minimale të Shqipërisë, 0-1 në “Loro Boriçi” të Shkodrës, sfida ndaj Italisë shënoi gjithashtu edhe përfundimin e kësaj fushate eliminatore të Kupës së Botës “Rusi 2018”, por njëherësh edhe zyrtarisht mbylljen e karrierës së kapitenit legjendar të Shqipërisë, Lorik Cana.

 Pavarësisht kësaj disfate, por të favorizuar edhe nga fitorja e Spanjës ndaj Izraelit me rezultatin 0-1, kuqezinjtë kanë menaxhuar të ruajnë vendin e tretë në klasifikimin e Grupit G, në kuotën e 13 pikëve, 1 më shumë se Izraeli. Maqedonia mposhti me rezultatin 4-0 Liechtenstein, për ta mbyllur këtë fushatë eliminatore në vend të pestë të klasifikimit të Grupit G, pas Izraelit, me 11 pikë.

Një turne i mbyllur me nder dhe lojë të bukur, ndonëse pa mundur dot të shpërblehej me rezultat pozitiv. Një pjesë e parë gati perfekte për Shqipërinë, e cila jo vetëm që ka ndalur Italinë, duke mos e lejuar të krijojë e rrezikojë, por madje ka tentuar në disaepisode, ndonëse pa sukses në gjetjen e golit. Në minutën e 10’ kros i Mavraj për Sadikun që asiston për Grezdaj, ky i fundit godet fuqishëm nga jashtë zone, një top të ndalur në dy kohë mes vështirësisë nga Buffon. Në të 21’ gafë e rëndë e Veselit që del huq në përpjekjen për të ndalur në top në zonë, Immobile mund të përfitojë, por ndalet nga Berisha në momentin e fundit. Sadiku tenton në të 27’nga një distancë e largët, por Buffon ndalon në ekstreme. Për gati 40’ minuta, më shumë se për të ndëshkuar Shqipërinë, përfaqësuesja italiane është shqetësuar për të frenuar tentativat kuqezi. Në të 40’ është arbitri ai që refuzon pretendimet e italianëve për 11-metësh të pretenduar nga Italia për prekje të topit me dorë nga ana e Veselit. Pjesa e parë mbyllet me një silurë të Immobile në të 45’, fatmirësisht përfundon në jashtë, me topin që trondit rrjetën e jashtme.

Fraksioni i dytë i lojës starton me ofensivë shqiptare, me Roshin që vë në provë Buffon, por lideri i azzurrëve largon rrezikun. Në të 60’ Eder shpërdoron kur në zonë gjuan mbi traversë. Grezda i afrohet golit në të 64’me një gjuajtje fantastike nga jashtë zone, topi merr një trajektore të çuditshme, por Buffon bën gati të pamundurën. Vetëm pesë minuta më vonë është  Eder që tenton sërish, kësaj here nga jashtë zone, por Berisha neutralizon rrezikun.

Në të 72’ aksion perfekt në kundrasulm i Shqipërisë, me Sadikun që shërben nga e majta, por topi parakalon të gjithë zonën pa mundur të devijohet drejt portës italiane. Candreva kalon Italinë në avantazh, kur në minutën e 74’ pasi godet me kokë në zonë dërgon topin në rrjetë. Në të 78’ krosim perfekt i Latifit në zonë, topi largohet në limite nga Chiellini. Immobile ka të gjitha shanset të dyfishojë avantazhin në të 90’, por Berisha fiton duelin dhe largon rrezikun.

Leave a Reply

%d bloggers like this: