Home / Rajoni / Vuçiç: Ne dëshirojmë marrëdhënie sa më të mira me Turqinë

Vuçiç: Ne dëshirojmë marrëdhënie sa më të mira me Turqinë

Serbia e ndjen Turqinë si mike. Ne jemi vend mik edhe popullit turk edhe i shtetit turk. Ashtu jemi sjellë, dhe do të vazhdojmë të sillemi, porositi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot në Beograd, pas takimit me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç sot në Pallatin e Serbisë me nderimet më të larta shtetërore priti presidentin e Turqisë, Erdoğan, ku kjo është vizita e parë e tij në cilësinë e presidentit të Republikës së Turqisë.

Vuçiç shprehu kënaqësi për shkak të nënshkrimit të marrëveshjeve mes Serbisë dhe Turqisë, duke shtuar se shpreson që të dy vendet në të ardhmen do të kenë marrëdhënie edhe më të mira.

“Nënshkruam 12 marrëveshje, ndonëse pritëm 10, dakorduam edhe dy dhe nënshkruam 12 marrëveshje. Nesër në Novi Pazar do të nënshkruajmë edhe katër. Bëhet fjalë për marrëveshje shumë konkrete të rëndësishme për Republikën e Serbisë”, theksoi Vuçiç.

Serbia e ndjen Turqinë si mike

Para se të përqendrohet në përmbajten e këtyre marrëveshjeve, Vuçiç theksoi se “Serbia e ndjen Turqinë si mike”.

“Ne jemi vend mik edhe i popullit turk edhe i shtetit turk. Ashtu jemi sjellë, dhe do të vazhdojmë të sillemi ashtu”, tha Vuçiç duke shtuar se:

“Në momentin e tentimit të puçit dhe grusht shtetit në Turqi, organet shtetërore të Republikës së Serbisë dënuan këtë tentim të formës më të lartë të veprimit terrorist dhe u vënë në anën e organeve të zgjedhura në mënyrë legale dhe legjitime të Turqisë dhe presidentit të saj Erdoğan”.

Ai theksoi se Serbia nuk e bëri këtë sepse asaj i është dashur diçka, por sepse qytetarët vetëm me vullnetin e tyre kanë të drejtë dhe detyrë të zgjedhin të ardhmen e tyre, e jo me dhunë dhe me mbështetje të ndonjë faktori të huaj.

“Në Serbi asnjëherë nuk do të keni ata që do të bëjnë pakte me kundërshtarët e organeve të zgjedhura në mënyrë legale dhe demokratike në Turqi. Ne bashkëpunimin tonë e bazojmë në bashkëpunimin me ata që populli turk legalisht i ka zgjedhur”, tha Vuçiç duke theksuar se Serbia nuk ka kurrfarë bashkëpunimi as me ithtarët e Gylenit, as me këdo tjetër. Serbia, siç tha, në këtë aspekt ka marrëdhënie të pastërta dhe duar të pastërta në raportet.

Vuçiçi falënderoi Erdoğanin për faktin se investitorët turq kanë investuar në vende të vogla në Serbi.

Qëllim për vitin e ardhshëm shkëmbimi tregtar një miliard dollarë

Në pjesën e fjalimit të tij për tregtinë e lirë, Vuçiç tha se kjo do të ndikojë në rritjen e eksportit të artikujve ushqimorë dhe bujqësorë të Republikës së Serbisë.

“Këmbimi ynë tregtar është në nivelin prej 870 milionë dollarësh. Jam i kënaqur që presidenti Erdoğan tha sot se pret që në të ardhmen të arrijë në një miliard në vit”, tha Vuçiç për të shtuar se kjo akoma më shumë do ta orientojë Serbinë të jetë më e hapur ndaj Turqisë.

Gjatë bisedimeve është folur edhe për bashkëpunimin në fushën e energjetikës, furnizimit me gaz dhe autostradën Beograd-Sarajevë, Novi Pazar-Tutin-Sjenicë.

Vuçiç ka theksuar se turqit janë turistët më të shumtë që kanë vizituar vendin, numër ky që në vitin 2016 është rritur me 30 për qind, po aq edhe në vitin 2017, për të shtuar se me Erdoğanin ka folur edhe për çështjet rajonale, më konkretisht për Bosnjë e Hercegovinën.

“Jemi pajtuar se stabiliteti rajonal dhe paqja është lartë ndër prioritetet tona. Në veçanti folëm për BeH-në ku përsërita qëndrimin e Serbisë për domosdoshmërinë për të respektuar integritetin territorial të BeH-së si dhe të integritetit të Republikës Sërpska brenda BeH-së. Ky nuk është viti 1389 siç mendojnë disa. Sot jemi në vitin 2017 dhe dëshirojmë marrëdhënie sa më të mira të mundshme me Turqinë. Do ti ndërtojmë sepse është në interesin e Turqisë por edhe një interes i madh i Serbisë”, tha Vuçiç.

Presidentët Vuçiç dhe Erdoğan sot do të marrin pjesë në Forumin afarist Serbi-Turqi, pas të cilit bashkë do të vizitojnë disa nga monumentet e kryeqytetit të Serbisë. Sipas protokollit zyrtar, Erdoğan në ditën e dytë të vizitës në Serbi do të qëndrojë në Novi Pazar, ku së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në ndërtesën e administratës së qytetit do të mbajnë një takim me kryebashkiakët dhe kryetarët e komunave të Novi Pazarit, Rashkës, Kralevës, Sjenicës, Tutinit, Prijepoljes, Nova Varoshit dhe Pribojit.

Sipas protokollit të Presidentit të Serbisë, gjithashtu do të mbahet një ceremoni e nënshkrimit të Protokollit në mes të komunës së Novi Pazarit dhe Rashkës me Agjencinë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA). Qytetarët e Novi Pazarit me padurim presin ardhjen e Presidentit Erdoğan, vizitë kjo nga e cila presin shumë çka, para së gjithash hapjen e fabrikave me çka do të ulej papunësia dhe të ndalohet largimi i të rinjëve nga Sanxhaku.

Leave a Reply

%d bloggers like this: