Presidenti Erdoğan do të vizitojë Poloninë më 17 tetor
Siç njofton Presidenca e Turqisë, gjatë qëndrimit në Varshavë, Erdoğan do të zhvillojë takime bilaterale, por do të marrë pjesë edhe në takimet e delegacioneve të të dyja vendeve.
Përveç kësaj, njoftohet për një takim të Presidentit Erdoğan edhe me kryeministren e Polonisë, Beata Szydlo, si dhe me kryetarin e Parlamentit dhe të Senatit.
Vizita e presidentit të Turqisë në Varshavë do të shoqërohet me nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fusha të ndryshme, njofton Presidenca e Turqisë.
Turqia dhe Polonia kanë një miqësi mbi 600 vjeçare, ndërkohë që në vitin 2009, shtetet nënshkruan një deklaratë e cila i bën partnerë strategjikë.
“Turqia i jep rëndësi të madhe përmirësimit të bashkëpunimit me aleatin e saj Poloninë në çdo fushë, prandaj shpreson se vizita do të përmirësojë më tej marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë që të përfitojë i gjithë rajoni”, thuhet në njoftim.