Kosova

Shkelet marrëveshja e Brukselit, 42 gjyqtarë serbë nuk betohen te Presidenti Thaçi

Ka dështuar marrëveshja e Brukselit, pasi 42 gjyqtarët serbë nuk kanë shkuar për ta bërë betimin te Presidenti Hashim Thaçi, si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës. Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e muajit gusht në Bruksel, u pajtuan për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për drejtësinë, konkretisht integrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Sipas marrëveshjes së arritur, gjyqtarët dhe prokurorët më 17 tetor do të duhej të integroheshin në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Zyra e Presidentit ka lëshuar një njoftim për media ku thonë se ishin të gatshëm të presin ardhjen dyzetedy gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës sipas Presidentit, është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht sipas kreut të Shtetit, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim te Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

“Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithëpërfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt”, përfundon komunikata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button