Bota

SHBA, autori i masakrës në kishë ishte një ish-ushtarak

Bilanci i të shtënave në kishën baptiste të Sutherland Springs, në Teksas, ka mbërritur në 26, ndërsa masakra më e madhe e këtij lloji në shtetin amerikan nuk ka ende një motiv të qartë.

Viktimat e ngjarjes që tronditi qytezën e vogël të kontesë Uillson janë të moshave 5 deri në 72 vjeç. Agresori u gjet i vdekur më vonë në automjetin e tij, disa kilometra larg. Policia e identifikoi vetëm si një mashkull të ri të bardhë, por mediat amerikane thonë se ai quhet Devin Patrick Kelley, 26 vjeç. Kelley mësohet të jetë shkarkuar nga forcat ajrore në vitin 2014, pasi përfundoi në mesin e një gjyqi ushtarak për agresion ndaj të shoqes dhe fëmijës së tij.

26-vjeçari, sipas autoriteteve të Departamentit të Sigurisë Publike, ishte i veshur i gjithi me të zeza dhe mbante në trup një jelek antiplumb. Ai fillimisht hapi zjarr me një pushkë gjysmë-automatike në ambientet përpara kishës e më pas hyri brenda. Në kohën kur po largohej prej andej, një qytetar i zonës rrëmbeu armën e tij dhe nisi të qëllonte mbi të dyshuarin, që e hodhi pushkën e u largua me makinë. Shtypi tregon se qytetari ka vazhduar ta ndjekë agresorin që më pas doli nga rruga dhe e përplasi automjetin ku policia e gjeti më pas të vdekur.

Nuk është e qartë megjithatë nëse i riu është vetëvrarë apo ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga plumbat e qytetarit lokal. Në makinë u gjetën disa armë të tjera. Pastori i kishës së mësyrë, Frank Pomeroy, tha për “ABC News” se në mesin e të vrarëve ishte edhe vetë vajza e tij 14-vjeçare, Annabelle. 23 prej viktimave u vranë jashtë kishës, dy brenda saj dhe një tjetër vdiq më vonë në spital. Kelley kishte qenë gjithashtu një mësues i studimit të shkrimeve të Biblës, por faqja e tij në Facebook tregon gjithashtu një adhurim të frikshëm të tij për armët.

Presidenti Donald Trump, e cilësoi ngjarjen si një “akt të së keqes” dhe bëri thirrje për lutje. Ai urdhëroi që flamujt amerikanë të ndërtesat federale të ulen në gjysmë shtizë deri të enjten. Presidenti po e ndjek situatën nga Japonia, ndalesa e tij e parë në vizitën gati dyjavëshe në Azi.

“Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë dhimbjen dhe pikëllimin që ndjejmë ne të gjithë dhe nuk mund të përfytyrojmë vuajtjen e atyre që humbën më të dashurit. Zemrat tona janë të thyera”, tha presidenti Trump.

Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, tha se kjo është vrasja më e rëndë masive në historinë e Teksasit. Ai tha se ka shumë “copëza të një enigme të ndërlikuar” që duhet mbledhur.

Ajo çfarë dihet tash për tash, sipas zyrtarit të sigurisë publike në Teksas, Freeman Martin, është se sulmuesi që u përshkrua si një i bardhë i ri i veshur në të zeza dhe jelek antiplumb, hapi zjarr para kishës baptiste dhe vazhdoi të qëllojë brenda saj.

Freeman tha se një banor lokal iu kundërvu sulmuesit me armën e tij duke bërë që ai të lëshojë armën dhe të largohet me makinë. Qytetari ndoqi sulmuesin dhe më pas policia u bashkua në ndjekje. Freeman tha se i dyshuari përplasi makinën e tij në dalje të kontesë dhe u gjet i vdekur më plagë nga arma e zjarrit. Nuk është e qartë nëse ai vrau veten apo u qëllua nga qytetari.

Sherifi i kontesë Wilson, Joe Tackitt, tha se policia gjeti edhe armë të tjera në makinën e të dyshuarit.

Zëdhënësja e Forcave Ajrore, Ann Stefanek, i tha Zërit të Amerikës të dielën vonë se sipas të dhenave, Devin P. Kelley, kishte shërbyer më parë në kuadër të Forcave Ajrore amerikane nga vitit 2010 deri në vitin 2014.

Kelley ishte shkarkuar nga gjykata ushtarake pas akuzave për sulm mbi bashkëshorten dhe mbi fëmijën e tyre.

Dy nga viktimat e tij u qëlluan në oborr ndërsa të tjerët brenda kishës.

Një dëshmitar, veteran i luftës së Vietnamit, i tha Zërit të Amerikës se “nuk kishte parë një masakër të tillë që nga Vietnami’.

Ndonëse viktimat ende nuk janë identifikuar publikisht, pastori i kishës baptiste, Frank Pomeroy, u tha medieve se e bija 14 vjeçare, Annabelle Renee Pomeroy, është në mesin e të vrarëve.

Sherifi Tackitt, tha se kisha postonte lutjet javore në YouTube, prandaj është e mundur që masakra të jetë regjistruar ne kamera.

Ngjarja e së dielës ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes masive në Las Vegas, më 1 tetor. Në atë rast, Stephen Paddock, hapi zjarr mbi turmën në një koncert duke vrarë 58 dhe duke plagosur mbi 500 veta. Edhe më tej hetuesit po punojnë në ndriçimin e motiveve të sulmit.

Top Channel

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button