Ekonomia

Ministri Slloven i Ekonomisë, Poçivalshek: Paketa me lehtësitë tatimore në turizëm, ide e shkëlqyer

Investimet në sektorin e turizmit shihen me interes për investitorët sllovenë dhe paketa me lehtësitë tatimore e përgatitur nga qeveria shqiptare vlerësohet si hapi i duhur.

Në një intervistë për ATSH-në, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë, Zdravko Poçivalshek vlerëson progresin e bërë nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik, ndërsa siguron për mbështetjen e Sllovenisë në proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Fillimisht ministri juaj, Ahmetaj më informoi për paketën me lehtësitë tatimore për investimet në fushën e turizmit në Shqipëri dhe mendoj se kjo paketë lehtësish është një ide e shkëlqyer. Mendoj se është hapi i duhur, në rrugën e duhur. Përsa i përket Sllovenisë, mendoj se kemi shumë interes të investojmë në turizëm”, deklaroi zyrtari slloven.

Përveç paketës me lehtësirat fiskale, ministri slloven thekson se nevojitet më tepër promovim i turizmit shqiptar.

“Jemi 2 milionë banorë, por lëvizim të paktën një herë në vit për pushime jashtë. “Duhet promovim në Slloveni, por edhe më tepër informacion për Shqipërinë që është baza për investime në turizëm. Ne në Slloveni kemi njerëz të kualifikuar në këtë fushë, pasi turizmi në vendin tonë është një degë e rëndësishme. Ai jep 7.5% të GDP, xhiroja jonë vitin e shkuar është 2.5 miliardë euro dhe një nga përparësitë tona është se kemi një turizëm të shtrirë në 12 muajt e vitit dhe jo sezonal. Mendoj se kemi kompani që janë të interesuara për të investuar në Shqipëri”, shtoi ministri.

Vizita e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë dhe e komunitetit të biznesit slloven që e shoqëron ka si qëllim prezantimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë në sektorët prioritarë, shkëmbimin e eksperiencës në fusha të ndryshme, si edhe ofrimin e mëtejshëm të mbështetjes teknike, ekonomike dhe politike për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Jam i shoqëruar nga një delegacion i madh kompanish sllovene dhe arsyeja kryesore e kësaj vizite është krijimi i mundësive për rritjen e shkëmbimeve tregtare”, shprehet ministri slloven, duke evidentuar se vitin e shkuar eksportet sllovene drejt Shqipërisë ishin vetëm 74 millionë euro.

Me shume se 80 përqind e GDP përbëhet nga eksportet, si rrjedhojë, ministri Poçivalshek thotë se kemi mundësi të mëdha për të rritur bashkëpunimin e dyanshëm në ekonomi.

Sipas ministrit slloven, e rëndësishme për të rritur investimet e huaja direkte është e klima e biznesit, e cila duhet të jetë konkurruese. “Për këtë duhet si hap i parë një sistem juridik që ndihmon në këtë aspekt. Pa një mjedis konkurrues biznesi, është e pamundur të tërheqësh investitorë të huaj. Duhen punonjës të kualifikuar dhe infrastrukturë e zhvilluar. Por, siç e thashë, është e nevojshme të përmirësohet klima e biznesit”, deklaron Poçivalshek.

Një tjetër sektor me interes për investitorët sllovenë është industria e përpunimit ushqimor, e cila sipas ministrit slloven është shumë e zhvilluar në Slloveni.

“Degë tjetër është bujqësia apo industria e përpunimit ushqimor. Jemi shumë përpara dhe delegacioni që më shoqëron ka në përbërje përfaqësues të interesuar për investime në bujqësi dhe përpunimin ushqimor”, thotë ai.

Ndërsa i pyetur se cilat ishin sygjerimet e tij që do të çonin në një rritje të bashkëpunimit ekonomik, ministri slloven shprehet se çelësi është komunikimi.

“Sugjerimi është: duhet të nisim me komunikim më të mirë në aspektin e turizmit. Do mbështes takimin midis Bordit Kombëtar Slloven të Turizmit dhe homologun shqiptar për të rritur shkëmbimet në turizëm dhe informacionet nga të dyja anët. Kjo do të rrisë dhe shkëmbimet ekonomike. Nga pikëpamja jonë, ju duhet të vazhdoni me këtë strategji veprimi për t’u afruar edhe më shumë drejt BE-së dhe Sllovenia do të mbështesë hyrjen tuaj në BE. Historikisht jemi vende shumë të lidhura dhe duhet të bashkëpunojmë në këtë fushë. Duhet të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në Komunitetin Europian”, deklaroi ministri slloven.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button