Politika

Lufta anti-korrupsion, Rama: Së shpejti nis reforma në drejtësi. Arvizu: Një kërcënim i madh e serioz

rama3-320x160Një një konferencë për luftën anti-korrupsion, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, ku ishin të ftuar ambasadori amerikan Arvizu dhe ai gjerman Hofman, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se korrupsioni ka lidhje me sistemin që është instaluar prej vitesh në vend dhe jo me njerëzit.

Sipas Ramës, është sistemi që u krijon hapësirë njerëzve për t’u korruptuar dhe lufta kundër tij është në thelb modernizmi: “Aty ku shërbimi është në rregull, nuk ka nevojë për para për të marrë shërbimin që të nevojitet, – theksoi Rama. – Nuk kam parë gjermanë të lëvizin në Gjermani pa lidhur rripin e sigurimit, por edhe në Shqipëri nuk kam parë gjermanë të lëvizin pa lidhur rripin në makinë”.

Rama ka konsideruar ndihmën e qendrës “Marshall”, që ka bashkëpunuar me qeverinë edhe në fazën e parë të saj.

“Korrupsioni është një altrernativë dhe të bësh dallimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, është e pamundur. Korrupsioni është alternativë e mungesës së meritës e konkurrencës dhe mungesës së shërbimeve. Dhe lufta merr trajtë më të plotë kur një zyrtar apo një gjykatës ndëshkohet dhe kjo është vetëm një pjesë e kësaj lufte. Kemi parë shumë eksperienca që në emër të luftës kundër korrupsionit, kanë shkelur të drejtat e njeriut dhe deformime të rënda të sistemit demokratik”.

Duke u ndalur të arsimi, Rama tha se reforma po vijon fuqishëm. “Se në Shqipëri dilnin diploma pa kriter. Ne kemi arritur të nxjerrim italianë me diploma që nuk kanë ardhur kurrë në jetën e tyre në Shqipëri”.

Rama pranoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është më i korruptuari në botë. Megjithatë, ai premtoi nisjen e reformave së shpejti në këtë fushë: “Sistemi i drejtësisë sonë, është më i korruptuari në botë. E di bota mbarë e dinë shqiptarët vetë. Si ka mundësi që asnjë gjykatës nuk është ballafaquar me ligjin për shkak të shkeljes së ligjit nga ana e tij. Kjo kërkon përgjigje konkrete që do ia japin institucionet, ne jemi zotuar të bëjmë një reformë të thellë në drejtësi. Do e çojmë para dhe s’do kthejmë sytë as majtas as djathtas, as të presim ata që ecin më hap breshke. Reforma në drejtësi do sjellë rezultate konkrete për qytetarin që troket në dyert e drejtësisë”.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu e ka cilësuar korrupsionin një kërcënim të madh për Shqipërinë: “Duhet vendosmëri dhe përkushtim për heqjen e të gjitha pengesave në luftën kundër korrupsionit, – tha Arvuizu. – Ai është një kërcënim i madh dhe serioz në Shqipëri, edhe pse ka pasur lëvizje pozitive në këtë drejtim, mbetet shumë për t’u bërë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button