Home / Kosova / Demarkacioni: As Presidenti nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Demarkacionin

Demarkacioni: As Presidenti nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Demarkacionin

Pas Qeverisë së Kosovës, e cila e hodhi poshtë mundësinë që Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, për të parë nëse gjithçka është në rregull, një qëndrim të ngjashëm e ka edhe Zyra e Presidentit. Në një përgjigje për Gazetën Express në këtë institucion thonë se Marrëveshja nuk ka nevojë të dërgohet në gjykatën më të lartë të vendit, pasi gjithçka është në rregull.

Për çështjen më të përmendur të viteve të fundit, Marrëveshjes së Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi, së fundmi është shtuar edhe një propozim tjetër: Dërgimi i saj për qartësim në Gjykatën Kushtetuese. Këtë së pari e përmendi ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, por institucionet më të larta shtetërore nuk po e shohin si të mundur interpretimin e Demarkacionit nga Kushtetuesja.

Aktualisht, Projektligji për Demarkacionin bashkë me raportin e Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, ndodhen në Kuvend, por ende nuk ka një datë kur për këtë çështje do të votojnë deputetët.

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, njëherësh ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka dalë me një propozim që Marrëveshja për Demarkacionin të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese para se të dërgohet për votim në Parlament.

“Presidenti i vendit ka të drejtë të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese çështje kushtetuese, këtë ia lejon Kushtetuta. Presidenti mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për kufijtë e Kosovës, pra si definohen kufijtë e Kosovës”, ka thënë Peci në një emision televiziv.

Gazeta Express ka pyetur Zyrën e Presidentit nëse do ta konsideronte i pari i vendit, dërgimin e Marrëveshjes në Kushtetuese, por kjo nuk shihet si opsion nga ky institucion.

“Marrëveshja për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është e saktë dhe kjo është vërtetuar nga të gjitha komisionet shtetërore të Kosovës dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Kjo e fundit nuk sheh asnjë paqartësi në këtë Marrëveshje, adresa e vetme e së cilës për ta është Kuvendi dhe ratifikimi i saj.

“Në këtë Marrëveshje nuk ka asgjë të paqartë, për të kërkuar qartësim të mëtutjeshëm nga Gjykata Kushtetuese”, tregon Presidenca.

“Prandaj, gjithçka është e qartë, Marrëveshja është e saktë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës sa më parë duhet ta ratifikojnë këtë Marrëveshje, e cila forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap rrugën për liberalizim të vizave”.

Edhe Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të Demarkacionit në Kushtetuese, por jo se kjo Marrëveshje është shumë e qartë.

Në një përgjigje për Express, të mërkurën, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se Marrëveshja nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, për një arsye tjetër.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk i interpreton Gjykata Kushtetuese sepse ligji ndërkombëtar ka supremaci mbi ligjet e brendshme”, thuhet në zyrën e Kryeministrit.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kësaj i mungojnë kompetencat për të interpretuar një marrëveshje ndërkombëtare.

“Asnjë nen i Kushtetutës nuk parasheh vlerësimin e kushtetutshmërisë së përmbajtjes së marrëveshjeve ndërkombëtare nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në një vendim të Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar Ligjin për Ratifikim, por nuk është e autorizuar për të vlerësuar se a është marrëveshja, si e tillë, në përputhje me Kushtetutën.

Leave a Reply

%d bloggers like this: