Home / Ekonomia / Nis ristrukturimi i Albpetrol, ngrihet grupi ndërministror. Në diskutim disa skenarë

Nis ristrukturimi i Albpetrol, ngrihet grupi ndërministror. Në diskutim disa skenarë

Deklaratat e herëpashershme të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri për Albpetrol, tashmë kanë nisur të jetësohen. Burime pranë MIE bënë me dije për ‘Monitor’ se tashmë është ngritur një grup ndërministror, i cili po diskuton për të gjetur skenarin më të përshtatshëm të ristrukturimit të kompanisë shtetërore të prodhimit dhe nxjerrjes së naftës.

Të njëjtat burime konfirmuan se këto diskutime janë ende në fazë të hershme dhe nuk ka ndonjë variant final të formës që do t’i jepet Albpetrol. Gjithsesi, në thelb, nuk pritet të ketë surpriza për aq kohë sa edhe më herët qeveria ka bërë të qartë praktikën që do të ndiqet. Pjesa më e madhe e saj do të privatizohet ndërkohë që shtetërore do të mbetet vetëm një bërthamë e vogël. Po kështu, pak kohë më parë, vetë ministri Gjiknuri pranoi se pjesa e punonjësve që do të rezultojnë të papunë pas ristrukturimit do të trajtohen me një periudhë tranzitore pagese.

“Albpetrol do të reduktohet. Shumë asete që ka Albpetrol do t’u jepen investitorëve të huaj ato që kanë mbetur, dhe pjesa tjetër e punonjësve do të trajtohen për një periudhë tranzitore me pagesë, por ne nuk mund të  mbajmë më një kompani e cila thjesht konsumon të ardhura që vijnë nga nafta dhe që praktikisht nuk sjellin ndonjë gjë të madhe  për publikun shqiptar”, – do të nënvizonte ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, gjatë një takimi të mbajtur në muajin nëntor me fokus zhvillimin e sektorit hidrokarbur në vend.

Bërthama që do të mbetet ekzistuese nga kompania Albpetrol, sikurse është bërë e ditur, do të jetë një njësi teknike e cila do të veprojë në koordinim me Institutin e rikrijuar të Hidrokarbureve, ndërsa asetet e tjera prodhuese do t’u ofrohen investitorëve strategjik apo do t’i nënshtrohen privatizimit.

Aktualisht kompania Albpetrol ka rreth 2300 të punësuar ndërkohë që shkurtimi i tyre pritet të bëhet në mënyrë graduale, sapo plani i ristrukturimit të finalizohet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: