Home / Politika / Rama, Meta, Basha, Thaçi, Haradinaj: Miratimi gjuhës shqipe në Shkup, arritje historike për shqiptarët

Rama, Meta, Basha, Thaçi, Haradinaj: Miratimi gjuhës shqipe në Shkup, arritje historike për shqiptarët

Kryeministri Edi Rama e cilësoi miratimin sot nga parlamenti maqedonas të ligjit të gjuhës shqipe, një arritje historike për shqiptarët, por që demokratizon e forcon edhe vetë Maqedoninë. Në një postim në rrjetin social ‘facebook”, Rama shkruan se “miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”. Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi sot me 69 vota pro Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Debati për ligjin për gjuhët në Kuvend filloi më 5 shtator vitin e kaluar në Komisionin parlamentar për Çështjet Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e miratoi përdorimin e sjelljes së tij më 15 nëntor të vitit të kaluar. Kundër ligjit ishte VMRO-DPMNE-ja në opozitë me justifikimin se është jokushtetues dhe diskriminues në raport me gjuhën maqedonase dhe gjuhët e tjera që flasin qytetarët e Maqedonisë. Ligji është sjellë pa praninë e deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët nuk marrin pjesë në punën e parlamentit në shenjë revolte për arrestimin e pesë kolegëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë për pjesëmarrje në incidentet në parlament, më 27 prill të vitit të kaluar.

Meta: Akt i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Maqedonisë

Një akt të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë, e cilësoi sot Presidenti Ilir Meta, miratimin nga parlamenti maqedonas të ligjit të gjuhës shqipe. “Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Ljubljanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, shkruan Presidenti në rrjetin social “Facebook”.

Bushati: Investim me rëndësi për forcimin e demokracisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati e konsideroi sot miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Miratimi i ligjit, sipas Bushatit,  garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat evropiane. “Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, tha Bushati.

Basha: Hap përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoni

Miratimi i sotëm i ligjit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, sipas Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha “është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”.

Basha përshëndeti këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. “Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni. Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe evropiane”, u shpreh Basha.

Kryemadhi: Miratimi i ligjit të dygjuhësisë, hap tjetër emancipues shtetëror

“Pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të ditës së alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror”, vlerësoi kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Sipas saj, “heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet, dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur”. “Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë. Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit! Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres”, vlerëson ajo.

Zv/kryeministri maqedonas Lika: Të vendosur të ecim përpara drejt konsolidimit të komuniteteve brenda shtetit

Zëvendëskryeministri Hazbi Lika në emër të ekzekutivit përgëzoi miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili u miratua sot në parlamentin e Republikës së Maqedonisë edhe me shumicë të dyfishtë, me 69 vota pro.

“Falënderojmë të gjithë deputetët shqiptarë që ishin të pranishëm dhe që votuan pro miratimit të ligjit, sidomos deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Gjithashtu, falënderojmë kontributin e përfaqësuesve të LSDM-së gjatë gjithë punës për miratimin e ligjit si në instancat qeveritare, po ashtu edhe në ato parlamentare”, deklaroi ai. ”Me anë të këtij projekti janë dhënë sinjale që kjo qeveri është e vendosur të ecë përpara drejt integrimeve dhe konsolidimit të komuniteteve brenda shtetit. Duke qenë të vetëdijshëm se jemi në fund të procesit deri në hyrje në fuqi të këtij ligji, presim që edhe institucionet tjera, në këtë rast Presidenca, të veprojë në përputhje me qëllimet që ky shtet i ka vënë vetes”, shtoi Lika. ”Me këtë rast i urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në veçanti popullin shqiptar për miratimin e Ligjit të përdorimit të gjuhëve, dhe me këtë projekt kemi rehabilituar një pjesë të eshtrave të atyre që kanë dhënë më të shtrenjtën për këtë ditë”, thuhet në urimin e zëvendëskryeministrit Lika.

Ahmeti për ATSH-në: Miratimi i ligjit të gjuhëve, festë e madhe për të gjithë shqiptarët

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, e cilësoi sot miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, një festë të madhe për të gjithë shqiptarët. Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ahmeti tha se “me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve sot kurorëzuam pjesën normative të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit nga viti 2001. Nga sot, gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe ky akt i sotëm i deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë paraqet një festë të madhe për të gjithë ne”. “Nga ky vendim ka fituar Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e vendit meqë mbyllet një kapitull shume i rëndësishëm për vendin tonë”, theksoi Ahmeti. Kreu i BDI-së, u shpreh se “uroj të gjithë kontribuesit për këtë arritje të përbashkët dhe falenderoj të gjithë mbështetësit gjatë gjithë këtij procesi”. Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi sot me 69 vota pro Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ligji parashikon që veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare në vend të jetë edhe shqipja dhe alfabeti i saj. Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridikë që kryejnë aktivitete publike, gjithë zyrtarët, përveç gjuhës maqedonase të jetë dhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë.

Thaçi: Shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni, hap i rëndësishëm i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit 

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga Parlamenti i Maqedonisë është një arritje e lartë demokratike për këtë shtet fqinj, që ndër të parët njohu pavarësinë e Kosovës, deklaroi sot Presidenti kosovar, Hashim Thaçi. “Rritja e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni garanton edhe më shumë unitetin qytetar dhe etnik të Republikës fqinje. Përgëzojmë qytetarët shqiptarë për këtë arritje politike, administrative dhe kulturore”, thekson Thaçi në ‘Facebook’. Presidenti i Kosovës vlerëson  se miratimimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe forcon edhe më shumë bashkëjetesën dhe perspektiven evropiane të Maqedonisë.

Haradinaj: Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mirëpriti lajmin për Miratimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë. Miratimi i këtij ligji, i jep gjuhës shqipe hapësirë më të madhe përdorimi, në të gjitha institucionet e këtij vendi. “Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, tha Haradinaj.

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: