Home / Ekonomia / “100 fshatrat”, programi më i madh i investimeve të integruara në bujqësi

“100 fshatrat”, programi më i madh i investimeve të integruara në bujqësi

Qeveria lançoi programin “100 fshatra” që synon zbatimin e investimeve të përbashkëta strategjike nga katër ministri, (Bujqësia, Infrastruktura, Kultura e Mjedisi) për zhvillimin e integruar të hapësirave rurale të vendit.

Qeveria në mbledhjen e fundit të saj miratoi vendimin që parashikon realizimin e këtij projekti brenda 3 viteve (2018-2020).  100 fshatrat janë zgjedhur në të gjithë Shqipërinë, si pikat nevralgjike  për një qasje të integruar në zhvillimin rural, që u targetohen objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të qendërzuar (programim i integruar dhe i koordinuar) i investimeve publike, atyre të donatorëve dhe i investimeve private, në hapësirën e mirëpërcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-sociale, të agroturizmit e turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, objektivat e programit janë: 

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara (100 fshatra), nëpërmjet 3 objektivave, si më poshtë vijon:

-Përmirësimi i infrastrukturës publike (mbështetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastrukture mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor etj.)

-Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike (përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime në prodhimin e produkteve tradicionale dhe shërbime të tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj.)

-Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor (mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe të jetesës në fshat etj.

Në total, nga ky projekt parashikohet të krijohen 600 vende pune. Vetëm në vitin 2018, parashikohet të krijohen 100 vende pune.

Në kuadër të programit të 100 fshatrave janë identifikuar 3 projekte strategjike të cilat do të zbatohen me prioritet të lartë:

-Krijimi i rrjetit të agroturizmit shqiptar

Në kuadër të programit të 100 fshatrave do të mbështetet me instrumente financiare dhe fiskale krijimi i një rrjeti fermash agroturistike, që plotësojnë kriteret dhe standardet e përcaktuara, të cilat do të jenë baza e rrjetit shqiptar të agroturizmit. Mbështetja për të krijuar një masë kritike të numrit të sipërmarrjeve të agroturizmit në Shqipëri do të shërbejë për rritjen e punësimit në zonat rurale, krijimin e një destinacioni dhe “marke” të veçantë të agroturizmit në Shqipëri, krahas ofertave të tjera turistike si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave tradicionale të fshatit shqiptar.

Programi do të synojë mbështetje për rreth 27 sipërmarrje agroturizmi të reja dhe 150 bujtina. Mbështetja do të synojë, gjithashtu, edhe përmirësimin e fermave dhe staneve blegtorale për qëllime të veprimtarisë së agroturizmit dhe turizmit rural.

Rrjeti i inkubatorëve të produkteve tradicionale

Programi do të synojë të krijojë rrjetin e inkubatorëve të produkteve tradicionale, që do të jenë hapësira që ofrojnë infrastrukturë të gatshme për të gjithë zinxhirin e vlerës së produktit, duke filluar që nga ambientet dhe pajisjet e prodhimit/magazinimit, linjave të paketimit dhe të marketimit, mbështetje për standardizimin e certifikimin si dhe hapësirë për shitje të produkteve.

Inkubatorët do të ofrojnë mbështetje për prodhuesit e vegjël të zonave rurale, në veçanti grave dhe të rinjve, të cilët mund të shfrytëzojnë inkubatorin për prodhimin, paketimin, marketimin, standardizimin dhe shitjen e produkteve të tyre, kundrejt një pagese të lehtësuar dhe të përballueshme për shërbimet që ofron inkubatori.

Rrjeti i markatave/dyqaneve të produkteve shqiptare dhe tradicionale

Programi do të synojë që të krijojë një rrjet të markatave/dyqaneve që do të jenë të specializuara në shitjen e produkteve shqiptare, në veçanti produkteve tradicionale. Do të synohet që ky rrjet të ketë emërtimin e tij (markën/brand-in) që e dallon nga rrjetet e tjera dhe bazuar në një strategji të posaçme marketingu dhe franchise, do të mund të krijojë një masë kritike të dyqaneve që do të bëjnë të mundur rritjen e përqindjes së shitjes së produkteve shqiptare/tradicionale. Mbështetja financiare për ngritjen e këtij rrjeti do të parashikohet në kuadrin e programit të 100 fshatrave.

Leave a Reply

%d bloggers like this: