Home / Politika / Kryemadhi për “New Europe”: Shqipëria duhet të qëndrojë në kursin e integrimit në BE

Kryemadhi për “New Europe”: Shqipëria duhet të qëndrojë në kursin e integrimit në BE

“Neweurope.eu” e cilëson Kryemadhin si gruan më të fuqishme të politikës në vend.

“Shqipëria ka sfida të mëdha përballë krimit të organizuar dhe i duhet të ndërrmarë reforma që e vendosin vendin në rrugën e transparencës, përgjegjësisë, e zhvillimit. Ky është mesazhi kyç i Monika Kryemadhit, Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që është edhe partia e tretë më e madhe në Parlamentin Shqiptar. Gruaja më e fuqishme e politikës në Shqipëri tregon se Tirana ka nevojë për qartësi në rrugën e përmbushjes së kritereve, si për hir të proçesit, ashtu edhe për destinacionin përfundimtar. Me fjalë të tjera, reformat kanë vlerë në vetvete – për hir të Shqipërisë – që shkon edhe përtej aspiratave të anëtarësimit në BE”, shkruan “Neëeurope.eu”.

Intervista e plotë

Zonja Kryemadhi, çfarë konsideroni ju si misionin tuaj si udhëheqëse e partisë së tretë më të madhe në Shqipëri, veçanërisht në funksion të negociatave kritike me Brukselin? Çfarë do të thotë “opozitë konstruktive” në një sistem politik ku fituesi i merr të gjitha?

Monika Kryemadhi: Lëvizja Socialiste për Integrim është një nga partitë politike më të reja në vend dhe si e tillë ajo ka si prioritetin e saj madhor avancimin e axhendës së Integrimit Europian.

Aktualisht Shqipëria po përjeton sfida serioze ekzistenciale duke filluar nga ruajtja e rendit publik, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës deri tek adresimi i çështjeve ekonomike siç janë papunësia masive dhe emigracioni i konsiderueshëm i të rinjve.

Misioni ynë si opozitë nuk është vetëm denoncimi i këtyre fenomeneve negative si rezultat i keq-qeverisjes, por më tepër ofrimi i një alternative të besueshme për të zgjidhur shqetësimet e njerëzve.

Sistemi politik demokratik nuk është një sistem ku fituesi i merr të gjitha. Demokracia funksionon më mirë kur ekziston një sistem funksional “kontrolli dhe balancë”, ku maxhoranca dhe opozita japin kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ne kemi qenë shumë konstruktiv në qëndrimet tona politike duke ofruar konsensus për zgjidhjet dhe iniciativat që do të sjellin progres për vendin tonë. Natyrisht ne kemi ofruar konsensusin tonë për politikat dhe propozimet që përshpejtojnë procesin e Integrimit Europian, përfshirë reformat në ndërtimin e shtetit të së drejtës sikurse së fundmi edhe reformën në drejtësi.

Për fat të keq, në këmbim, ne jemi përballur me një qeverisje arrogante e cila nuk e ka vlerësuar këtë qëndrim konstruktiv të opozitës. Të gjithë duhet ta kuptojnë që suksesi i këtyre reformave ka të bëjë me kohezionin social të Shqipërisë sikurse me vet fatin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Sipas mendimit tuaj, a janë kushtëzimet e Brukselit të ndershme? A ka pasur ndonjë progres sa i përket përmbushjes së kushteve të përcaktuara? A ka shanse për të qenë ambicioz dhe shpresëplotë në këtë drejtim?

Monika Kryemadhi: Fatkeqësisht, arritja me sukses në fazën tjetër, praktikisht për të hapur negociatat e anëtarësimit, ka qenë një “objektiv i lëvizshëm” kryesisht për shkak të mungesës së reformave strukturore dhe performancës së dobët të qeverisë Shqiptare. Siç thuhet shpesh në anglisht – “duhen 2 vetë për të kërcyer tango” – kështu që ne duhet të kuptojmë se është klasa politike shqiptare që ka përgjegjësinë në përmbushjen e kushteve që Brukseli na përcakton. Dështimi në kryerjen e “detyrave të shtëpisë”, ishte një zbulim kyç në raportin e Komisionit Evropian “Strategjia për Ballkanin Perëndimor”, publikuar pak ditë më parë.

Me gjithë mungesën e progresit dhe dështimit të qeverisë për zgjidhjen e problemeve dhe adresimin urgjent të nevojë për reforma, ne si opozitë, jemi të vendosur për ti apeluar Brukselit për hapjen e negociatave brenda mesit të vitit 2018. Kjo do shtynte përpara një proces që do ti jepte Shqipërisë dinamikën e nevojshme për të zgjidhur në mënyre eficiente çështjet problematike si korrupsioni, mungesa e zbatueshmërisë së ligjit dhe shtetit ligjor apo funksionimin e brishtë të institucioneve. Prioritet duhet te jetë suksesi në rikthimin e rendit publik dhe lufta kundër trafiqeve të drogës, tërheqja e investimeve të huaja direkte dhe dhënia fund e eksodit masiv të të rinjve.

Marrë në konsideratë këto prioritete, ka ardhur koha për një hap të madh besimi mes nesh dhe BE-së, e cila duhet të jetë bujare sot për të ofruar më shumë “kulaçin” dhe jo “kërbaçin”, për të ecur më shpejt nesër në rrugën drejt Integrimit Europian.

A është qeveria shqiptare në gjendje të rrëzojë akuzat për lidhjen e saj me krimin e organizuar para qershorit 2018?

Monika Kryemadhi: Fakti është se ne kemi një ish-ministër të brendshëm, i cili është shumë afër Kryeministrit tonë, për të cilin ka dëshmi dhe evidencë të mbledhura nga shërbimet inteligjente të huaja që ai ka udhëhequr trafikun e drogës në vendin tonë.
Ky zbulim kritik përbën një shqetësim mjaft të madh, pasi tregon mungesën e vullnetit politik nga qeveria për të luftuar me të vërtetë drogën dhe krimin e organizuar. Kjo situatë dekurajon investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri dhe të krijojnë vende punë të mirëpaguara, në mënyrë që fëmijët tanë mos të largohen por të shpresojnë për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Nëse jemi serioz në luftën dhe eleminimin e krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me qeverinë apo politikanët, atëherë ne duhet të shohim aksione të vërteta që tregojnë se qeveria po lufton kundër krimit të organizuar, dhe jo flirton me të. Tani është koha për veprim të guximshëm, i cili nuk lidhet me një datë të veçantë përpara qershorit 2018 ,por me përgjegjësinë që kemi karshi qytetarëve tanë dhe pritshmërive të tyre.

A ka kohë që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda 2025? Çfarë duhet të bëj?

Monika Kryemadhi: Nuk ka një afat të caktuar për anëtarësimin në BE. Nëse Brukseli do të kishte të përcaktuar një datë, do të kishte qenë një zhvillim pozitiv. Për fat të keq, unë jam e shqetësuar për ritmin e ngadaltë të progresit nga ana jonë dhe për të qenë e sinqertë edhe nga sentimenti i “lodhjes së zgjerimit” nga ana e BE-së. Personalisht, mendoj se është e dobishme që të “ankorohen” pritshmëritë tona për anëtarësimin në BE brenda një afati të caktuar kohor. Megjithatë, më e rëndësishmja është që ne duhet të vazhdojmë me axhendën e reformave në të gjitha çështjet sensitive në raport më negociatat. Ne duhet të përgatisim veten për një “ndryshim mentaliteti” në qoftë se ne duam t’i përafrohemi më shpejt BE-së.

Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin me objektivitet të reformës në drejtësi, duke konsoliduar sundimin e ligjit dhe duke treguar tolerancë “zero” ndaj krimit të organizuar dhe drogës. Gjithashtu, duhet të përqafojmë reformat ekonomike që rrisin konkurrencën dhe atraktivitetin e tregut tonë. Natyrisht, krijimi i sinergjisë për përshpejtimin e integrimit ekonomik rajonal përmes financimit të projekteve strategjike infrastrukturore rajonale, do ta bënte integrimin europian të të gjithë Ballkanit Perëndimor më të realizueshëm deri në vitin 2025. Në fund të fundit, Shqipëria duhet t’i bëjë këto reforma për interesin e saj pavarësisht dinamikës së procesit te Integrimit Europian.

A mund të propozojë Shqipëria një rezolutë diplomatike për çështjen e Kosovës apo për çështjen e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë?

Monika Kryemadhi: Absolutisht, Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë një rol konstruktiv dhe paqësor në promovimin e stabilitetit rajonal. Nga përvojat e kaluara të rajonit, ne kemi mësuar se është më e vështirë të sigurosh “paqen” sesa të fillosh “luftën”. Shqipëria po kontribuon në zgjidhjen e ndershme dhe paqësore për të dy këto çështje delikate për rajonin – ku palët nuk duhen pozicionuar si fitues apo humbës – sepse një Ballkan më i paqtë, më i sigurt dhe më i begatë do të thotë në finale një Europë më e sigurt.

Leave a Reply

%d bloggers like this: