Home / Ekonomia / 200 sipërmarrje italiane ‘zbresin’ në Tiranë

200 sipërmarrje italiane ‘zbresin’ në Tiranë

Shqipëria dhe Italia po synojnë të zgjerojnë më tej bashkëpunimin ekonomik.

Rreth 200 sipërmarrje italiane të cilat së bashku arrijnë një vëllim xhiroje mbi 17 miliardë euro pritet të zbresin në Shqipëri të dielën për të marrë pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Itali.

Misioni udhëhiqet nga zv. ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë italiane, Ivan Scalfarotto. “Më shumë se 350 delegatë nga Italia, nga institucione, ente, shoqata, banka dhe rreth 200 sipërmarrje italiane, të cilat së bashku arrijnë një vëllim xhiroje mbi 17 miliardë euro dhe që do të takojnë mbi 200 sipërmarrje shqiptare të regjistruara në takimet B2B”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Forumi synon evidentimin e fushave për bashkëpunim dhe investim që ofron tregu shqiptar.

Gjatë punimeve të forumit do të mbahen seminare të përqendruara te programet dhe instrumentet e financimit në rajon ndërsa janë parashikuar edhe tri tryeza sektoriale mbi fokuset e misionit. Infrastrukturat, në kuptimin më të gjerë turizmi, spitalet, shkollat, transportet, energjia & green tech dhe përpunimi ushqimor.

Po ashtu, do të ketë një seksion të gjatë takimesh B2B mes sipërmarrjes shqiptare dhe asaj italiane me qëllimin për të vendosur kontakte dhe për të shqyrtuar fusha të mundshme bashkëpunimi.
Përgjatë qëndrimit në vendin tonë, sipërmarrja italiane do të ketë mundësitë të vizitojë disa kompani që zhvillojnë aktivitet në territorin shqiptar.

“Mirëpresim me entuziazëm një nismë të këtyre përmasave të organizuar nga partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë në një vit kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Do të jetë një mundësi për t’u shfrytëzuar më së mirë nga të gjithë “, theksoi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

“Është nisma e jashtme më e rëndësishme që qeveria italiane organizon për të favorizuar ndërkombëtarizimin e kompanive italiane dhe do të ketë qëllimin e dyfishtë që të ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme për të përkrahur aktivitete dhe investime të reja italiane, si dhe për të konsoliduar praninë e shumë kompanive italiane tashmë të pranishme në Shqipëri”, deklaroi ambasadori i Italisë në Shqipëri Alberto Cutillo.

Italia, partneri kryesor tregtar

Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë duke zënë 34,6% të vëllimit tregtar.,

Eksportet shqiptare drejt Italisë u rritën më 8.9% në 2017. Në vlerë, eksportet shqiptare drejt Italisë llogariten 146.036 milionë lekë. Ndërsa importet drejt vendit tonë u rritën me 5,7 % duke arritur në 179.227 milionë lekë.

Në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Eksporti i kësaj kategorie arriti për vitin 2017 vlerën e 91.490 milion lekëve. Ndërsa eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” në vitin që lamë pas shënuan vlerën e 16.131 milionë lekëve.

Grupi “tekstile dhe këpucë” kryeson edhe në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj. Importi i kësaj kategorie gjatë 2017-s arriti vlerën e 43.368 milionë lekëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: