Ekonomia

Eksperti i njohur në fushën e naftës: SHELL rrit interesin edhe të kompanive të tjera

Nënshkrimi i marrëveshjes hidrokarbure për kërkim nafte në bllokun nr.4 në tokë mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL konsiderohet një sukses edhe nga ekspertë të kësaj fushe.

Eksperti i njohur i naftës, Vlash Laçka në një intervistë për ATSH-në, tha se nënshkrimi i marrëveshjes për kërkimin e zbulimin e naftës dhe të gazit në bllokun nr.4 është një eveniment shumë i rëndësishëm për faktin se kompania SHELL është ndër kompanitë më të suksesshme dhe ndër më të mëdhatë për kërkimin, zbulimin dhe zhvillimin e vendburimeve.

“Vet prania e kompanisë së madhe SHELL, të mirënjohur,  rrit interesin edhe të kompanive të tjera për të kërkuar e zbuluar rezerva të reja në territorin perspektiv që është goxha i madh dhe që mund të zbulohen rezerva të konsiderueshme për të rritur shumë mundësitë e vendit tonë që të përfitojë nga kjo lëndë strategjike që dominon në tërësi zhvillimin energjitik të vendit”, deklaron Laçka në një intervistë për ATSH.

Sipas tij, është edhe një sinjal shumë i mirë, sepse kompania SHELL që u angazhua në bllokun e Beratit dhe po insiston për të vlerësuar rezervat e mundshme në atë vendburim, do të thotë që ajo ka krijuar bindje se perspektiva e vendit tonë është shumë konkrete.

Pikërisht blloku nr.4, ashtu si edhe ai pranë tij, blloku nr. 5, vlerëson Laçka, konsiderohen ndër blloqet më me perspektivë për zbulimin e naftës apo gazit në gëlqerorë. Përveç probabilitetit të lartë që ka kjo zonë, thekson ai, pritet që edhe thellësia e zbulimit të jetë e niveleve që janë vendburimet e tjera, tashmë në zhvillim, në stadet e fundit të tyre të niveleve 3-4 mijë metra ndoshta edhe pak më shumë.”

Sipas tij edhe teknologjia e çpimit është e suksesshme për të arritur në një kohë sa më të shkurtër konkretizimin e vendburimeve.

Laçka komentoi edhe marrëveshjen e nënshkruar që sipas tij është e favorshme edhe për buxhetin e shtetit.
“Nisur edhe nga fjala e kryeministrit, i cili deklaroi sot se marrëveshja është e favorshme duhet përshpejtuar zbatimi i saj, në mënyrë që të arrihet sa më shpejt te zbulimi i naftës dhe marrja e asaj pjese të fitimit që ne pak e kemi marrë në marrëveshje të tjera”, shprehet Laçka.
“Besoj se do të ketë shumë sukses dhe sa më shpejt të nisi punimet atje, kemi bindjen të gjithë se aq me afër është edhe zbulimi i vendburimeve të rezervave të reja të naftës dhe të gazit”, deklaron eksperti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button