Kronika

Kokaina e kapur në Durrës, mbeten në burg dy të dyshuarit

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë për dy të kapurit për trafikimin e një sasie të madhe kokaine në doganën e Durrësit, duke vendosur “Arrest me burg” për Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun, dy 25-vjeçarët e arrestuar gjatë operacionit “Last Snow”, ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kilogramësh kokainë e pastër.

Gjatë seancës së sotme tek Krimet e Rënda, pala mbrojtëse theksoi se të dyshuarit nuk kishin informacion për drogën, por ata ishin njoftuar se po vinte një ngarkesë nga jashtë me banane. Prokuroria akuzon Lushajn, si menaxher i kompanisë “Arbëri Garden” dhe Armando Pezakun, si shofer i kamionit që transportoi drogën, për trafik ndërkombëtar të drogës, të mbetur në tentativë. Prokuroria kërkoi nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbylluara, për shkak të hetimeve që vijojnë.

Avokatët Petrit Serjani dhe Maksim Haxhiaj mbrojnë dy të ndaluarit. Ky i fundit, që mbron Donaldo Lushajn mohoi akuzat e ngritura kundër klientit të tij. Sasia rekord e kokainës u kap në dyshemenë e modifikuar të një kontenieri, me banane të porositura nga kompania “Arbëri Garden”. Donaldo Lushaj u prangos si menaxher i kompanisë, ndërsa Armando Pezaku si drejtues i kamionit që transportoi drogën. Policia ka shpallur në kërkim administratorin e firmës ‘Arbi-Garden’ shpk me qendër në Manzë, Arbër Cekaj.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Donaldo Lushajt, Maks Haxhia ka thënë se klienti i tij është një punëtor dhe nuk ka lidhje me drogën. “Donald Lushaj është një punëtor që paguhet me 25 mijë lekë dhe nuk ka asnjë post në kompani. Ndaluan një grup punëtorësh dhe s’kemi çfarë të fshehim. Nuk ka persona të tjerë të përfshirë. Nuk u paraqitën asnjë provë dhe janë lidhur vetëm me faktin se janë kapur 613 kg drogë. Nuk ka asgjë përgjim që lidhet me implikimin e Arbër Cekajt”, ka thënë Maks Haxhia gjatë një deklarate për mediat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button