Home / Politika / “Deti” çon Ramën në Presidencë; Kryeministri takohet me Metën për negociatat me Greqinë

“Deti” çon Ramën në Presidencë; Kryeministri takohet me Metën për negociatat me Greqinë

Kreu i Qeverisë u fut në takim me Ilir Metën në orët e pasdites së të mërkurës. Takimi zgjati rreth 60 minuta dhe si Meta, ashtu edhe Rama nuk kanë dhënë detaje nga biseda kokë më kokë.

Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme informacione tjera të hollësishme që nisin me saktësimin e titullit, paraqitjen e një analize të brendshme tekniko-ligjore dhe plotësimin kuadrit legjislativ nëse ka mangësi. Po ashtu kërkohet që grupi të mos ulet në negociata pa hartat e duhura dhe dokumentacionin mbështetës.

Më 2 mars, Meta priti në Presidencë të gjithë anëtarët e Komisionit të Jashtëm, të cilët dolën prej andej me një mendje. Të gjithë i dhanë te drejtë këmbënguljes së Presidencës ndaj Ministrisë së Jashtme.

Socialistët dhe opozita në Komisionin e Jashtëm morën nga kreu i shtetit sqarimet që donin për komunikimin mes dy institucioneve, sa i përket përgatitjes për të hyrë në negociata me Greqinë.

Veç verifikimit të grupit negociator, mbështesin edhe përfshirjen e ekspertëve tjerë.

“Ramë të gjithë dakord që qëndrimi i presidentit është qëndrimi korrekt”, tha Edi Paloka, anëtar i komisionit të jashtëm, PD.

“Ndamë të njëjtin opinion me presidentin lidhur me nevojën dhe domsdoshmërinë absolute që kjo marrëveshje të mos dështojë”, u shpreh Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të jashtëm, PS.

“Pati dhe kërkesa për një verifikim shumë më të mirë të grupit negociator”, tha Paloka.

“Grupit negociator mund ti atashohen edhe profesorë të të drejtës ndërkombëtare, apo profesor të fushës ligjore, mund të mos jenë pjesë e grupit negociator, por këshilltar të mirë”, vijoi Kodheli.

Kryetarja socialiste e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli bëri një pohim të qartë, kur tha se marrëveshja e kufirit detar Shqipëri-Greqi është më e rëndësishmja për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në.

“Moment historik që ndodhet shqipëria sot e bën këtë marrëveshje mbase më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me me qeverinë greke”, tha Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të Jashtëm, PS.

Demokratët, marrëveshja e të cilëve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, vazhdojnë të nxisin idenë që kufiri të përcaktohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Zgjidhja racionale është çuarja e kësaj dosje në mirëkuptim nga pala greke në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, tha Tritan Shehu, nënkryetar i komisionit të jashtëm, PD.

“Për aq kohë sa ne kemi rënë dakord që do të hyjmë në marrëveshje me qeverinë greke nuk shikoj asnjë arsye pse çështja duhet të shkojë në Hagë”, vijon Kodheli.

“Të zbatojmë me përpikmëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do ta bëjë të gjithë marrëveshjen me palën greke të pakontestueshme”, tha Klajda Gjosha, nënkryetare e komisionit të jashtëm, LSI.

Leave a Reply

Your email address will not be published.