Home / Ekonomia / Miratohen procedurat e menaxhimit të investimeve publike

Miratohen procedurat e menaxhimit të investimeve publike

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për procedurat e menaxhimit të investimeve publike.

Sipas këtij vendimi, kostoja totale e një projekti investimi do të përfshijë çdo shpenzim që lidhet me arritjen e rezultateve të synuara, sipas të gjithë komponentëve të tij.

Vendimi parashikon që njësitë e qeverisjes qendrore të përgatitin propozimet për projektet e mëdha të investimeve, në çdo kohë, dhe i paraqesin për vlerësim në ministrinë përgjegjëse për financat, brenda muajit dhjetor dhe jo më vonë se një muaj përpara fillimit të procesit buxhetor.

Procesi i përgatitjes, vlerësimit dhe përparësisë së projekteve të investimeve publike do të kryhet nga ministria që propozon investimin. Në rast të mosplotësimit të të gjitha kërkesave, projekti do të refuzohet për financim.

Njësitë e qeverisjes qendrore, në kuadër të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm, dërgojnë propozimet për projektet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në Dokumentin e Politikave Prioritare, si pjesë e kërkesave buxhetore të tyre.

Në këtë fazë shqyrtohet dhe vlerësohet rëndësia strategjike e investimeve të propozuara, kundrejt prioriteteve kryesore strategjike kombëtare.

Ndërkohë përjashtime nga rregullat dhe procedurat e këtij vendimi bëjnë vetëm propozimet nga njësitë e qeverisjes qendrore për projekte të mëdha investimi, që kanë të bëjnë me përballimin e një fatkeqësie natyrore apo në rastet e shpalljes së emergjencës civile.

Po ashtu përjashtim bëjnë edhe projektet e një rëndësie strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Në çdo rast, këto propozime duhet të dërgohen për shqyrtim, në ministrinë përgjegjëse për financat dhe të përcillen për miratim në Komitetin e Planifikimit Strategjik.

Parimet kryesore, ku bazohet vlerësimi dhe prioritizimi i projekteve të reja të investimeve dhe përfshirja në dokumentin buxhetor afatmesëm, janë vlerësimi i rëndësisë strategjike;
vlerësimi ekonomik dhe financiar; vlerësimi i menaxhimit të projektit.

Për projektet e reja të investimeve publike shumëvjeçare, të miratuara si pjesë e dokumentit buxhetor afatmesëm, gjatë vitit të parë të zbatimit të tyre, në buxhetin e njësisë përkatëse të qeverisjes qendrore nuk duhet të alokohet më pak se 20 për qind e vlerës së plotë të projektit përkatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.