Home / Ekonomia / TEC-i 350 milionë euro në Korçë, merr statusin e investimit strategjik, do prodhojë energji dhe ujë të ngrohtë

TEC-i 350 milionë euro në Korçë, merr statusin e investimit strategjik, do prodhojë energji dhe ujë të ngrohtë

Ngritja e një termocentrali në Korçë tashmë nuk është më një sekret. Projekti, që u njoftua pak kohë më parë edhe nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka marrë statusin e investitorit strategjik me kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Projekti parashikon realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/kwh me kapacitet 480.9 MW.

“Impianti synon të furnizohet me gaz nga projekti i gazsjellësit TAP në sasi 6.36 x 108 m3/vit (distanca 2 km në veri) sipas një kontrate që vetë subjekti propozues do të negociojë me kompaninë TAP ag dhe furnizuesit e gazit. Energjia elektrike e prodhuar synohet të transmetohet tek nënstacioni elektrik Zëmblak duke dalë në treg të lirë me një qasje treg rajonal pa parashikuar si kusht nënshkrimin e një marrëveshjeje (PPA) me qeverinë shqiptare. Uji për kondensim (në sasinë 460 m3/orë) (128 l/s) parashikohet të merren nga impianti i pastrimit të ujerave të qytetit të Korçës ashtu sikundër parashikohet edhe hapja e dy puseve me kapacitet 20-30 litra/s secili.

Projekti në një fazë të dytë zhvillon konceptin e ngrohjes qendrore të qytetit të Korçës deri në 80 megavat energji termike për ngrohje dhe 6 MW për ujë sanitar. Zhvillimi i rrjetit të ujit të nxehtë në të gjithë qytetin synohet të bëhet nga Partneriteti Publik Privat që do të vendoset ndërmjet subjektit GPP Korçë dhe Bashkisë së Korçës”, thuhet në dokumentet zyrtare.

Sipas projektit, synimi është që të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.

“Nga e gjithë sipërfaqja totale prej 909 182 metër2 sipërfaqja prej 245 208 m2 nevojitet për përdorim të përhershëm. Vlera e parashikuar e investimit të projektit “Gas Power Plant Korça” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 349.7 milionë euro. Përgjatë fazës së realizimit të projektit numri I personave të punësuar parashikohet të jetë 400 dhe gjatë fazës së operimit 123 persona” detajohet në projekt.

Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë me kusht statusin e investimit strategjik për tre vjet ndaj subjektit aplikues, ndërkohë që ka kërkuar që ky i fundit të plotësojë hallkat e tjera të nevojshme që lidhen me garancitë financiare, me marrjen e licencës për energjinë. Lidhur me pronësinë KIS ka bërë me dije se nuk mund të ndërhyjë në proces të paktën në këtë fazë fillestare dhe se subjekti duhet të hyjë në negociata me pronarët e tokave për të arritur një marrëveshje.

GPP Korça është një kompani e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit më 3 janar 2017, ku aksioneri i vetëm i 100 për qind të kuotave është Ivicom Holding GmbH. Referuar faqes së saj zyrtare, kompania rezulton e krijuar në Austri në vitin 1991. Ajo ka zgjeruar praninë e saj në vende të tjera të rajonit si Kroaci, Serbi, Mal i Zi, Bosnjë-Hercegovinë apo Gjeorgji. Në Shqipëri, adresa e saj primare rezulton në Pogradec. Në fokus të aktivitetit, kompania ka konsulencën, punimet inxhinierike, mbikëqyrjen, menaxhimin e projekteve dhe ndërtimin e impianteve industrial si dhe ndërtime të tjera përfshirë ato infrastrukturore.

Leave a Reply

%d bloggers like this: