Home / Ekonomia / Ahmetaj: Nga 1 janari, pragu i tatim fitimit bëhet 14 milionë lekë, përfitojnë mbi 10 mijë sipërmarrje, që do paguajnë 5%

Ahmetaj: Nga 1 janari, pragu i tatim fitimit bëhet 14 milionë lekë, përfitojnë mbi 10 mijë sipërmarrje, që do paguajnë 5%

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që ndan bizneset e vogla nga i madhi do të rritet në 14 milionë lekë, nga 8 milionë lekë që është sot. Kjo do të sjellë automatikisht ulje të tatim fitimit nga 15 në 5% për 10,850 biznese, që janë gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitim në nivelin e 15%.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat. Ahmetaj tha se do të rishikohet dhe ligji i koncesioneve, ku në thelb të tij do të jetë heqja e propozimeve të pakërkuara nga biznesi.

Ministri bëri dhe një prezantim të ecurisë së vendit.

Ekonomia shqiptare arriti rritjen më të madhe në 10 vjet, me 3.84% dhe pritet që të vazhdojnë me këto ritme, tha ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Kjo ka ardhur nga investimet e brendshme, të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Papunësia në rajon është më e ulëta, ndërkohë që trendi është në rënie.

Numri i të punësuarve ka arritur në 560 mijë, me rreth 240 mijë të punësuar më shumë në krahasim me vitin 2013, duke iu referuar listëpagesave të Drejtorisë së Përgjithsme të Tatimeve. Hapësirat për punësim janë ende të larta, tha Ahmetaj, sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Ahmetaj përmendi dhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë për rritjen e besimit në ekonomi, i cili u rrit me 3.7 pikë në tremujorin e parë 2018.

Indeksi i shifrës së afarizimit shënoi rritje prej 4.7% në tremujorin e fundit të vitit 2017.

Për investimet e huaja, Shqipëria ka nivelin e dytë më të lartë në rajon, pas Malit të Zi, në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Eksportet kanë vijuar rritjen e qëndrueshme, me 18% për tre mujorin, ndërkohë që në kahun tjetër ka një rritje të lartë të importeve për makineri dhe pajisje edhe ky një tregues pozitiv për investimet e brendshme.

Kredia për ekonominë është gjallëruar, megjithëse në nivelin 36.6% të PBB-së, mbetet ende e ulët në raport me vendet e rajonit.

Të ardhurat tatimore, për janar-prill janë rritur me 4.5% në krahasim me faktin e katër muajve të parë të 2017-s, tha Ahmetaj.

Kursi i këmbimit ka dëmtuar të ardhurat në dogana me 1.3 miliardë lekë, por shpresojmë ta kompensojmë me efektivitet në administrim, tha ministri.

Ahmetaj tha se janë rreth 5 mijë biznese të reja, që janë shtuar neto në katër mujat e parë të vitit.

Ai shtoi se inflacioni në muajin prill ka qenë në nivele normale prej 2.1% dhe kjo tregon se nuk ka pasur ndikim në rritjen e çmimeve nga ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë.

Lidhur me kursin e këmbimit Ahmetaj tha se ai është ndër më të qëndrueshëm në rajon. Ai reflekton faktorët fondametalë, si përmirësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimet e larta të huaja.

Ai tha se qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrje. Për eksportuesit e fasonëve, Ahmetaj tha që luhatja e kostove nga kursi për ta është e kufizuar nga 2 në 3%, për shkak se ata kanë një vlerë të shtuar të ulët, prej maksimumi 20%. Ai rekomandoi që eksportuesit të shohin më shumë nga produktiviteti dhe jo nga kostot.

Në gjithë rajonin, tha Ahmetaj, si Serbi, Kroaci, monedha vendase po forcohet për shkak të përmirësimit të ekonomisë së rajonit dhe Shqipëria nuk bën përjashtim.

Ahmetaj prezantoi disa nga iniciativat e fundit të Ministrisë së Financave. Bizneset nga 8 deri në 14 milionë lekë do të kenë tatim fitimi 5%, përr shkak të rritjes së pragut të tatim fitimit dhe TVSH-së, nga 8 në 14 milionë lekë. Kjo pritet që të hyjë në fuqi maksimumi në 1 janar të vitit të ardhshëm.

Nga kjo pritet që të përfitojnë mbi 10 mijë biznese.

Lehtësi të tjera janë nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme diellore, përjashtim nga tvsh për makinëri pajisjet në import, nxitje për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, që do kenë tatimfitim 5 për qind, Agroturizmi do të ketë tatim fitimi 5% dhe TVSH të reduktuar në 6% si dhe përjashtim nga taksa e infrastrukturës për investime.

Leave a Reply

%d bloggers like this: