Home / Ekonomia / Krijohet shoqëria e përbashkët shqiptaro-italiane për mirëmbajtjen e tubacionit të TAP

Krijohet shoqëria e përbashkët shqiptaro-italiane për mirëmbajtjen e tubacionit të TAP

ompania shtetërore shqiptare e gazit “Albgaz” dhe ajo italiane “SNAM” firmosën në Tiranë marrëveshjen e krijimit të një shoqërie të përbashkët e cila do të ketë si objektiv mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit TAP për pjesën që kalon në territorin e Shqipërisë.

Struktura e aksioneve ndahet në raportin “Albgaz” 75% dhe “SNAM” 25%. Kompania italiane SNAM garanton kualifikimin e punonjësve të Joint Venture dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standardeve të sektorit por në veçanti edhe të TAP. Gjatë procesit të negociatave, qeveria shqiptare u ndihmua nga konsulentët e kompanisë “Roland Berger” falë mbështetjes financiare që qeveria e konfederatës zvicerane ka dhënë përmes SECO-s me qëllim asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

“Kjo marrëveshje erdhi pas një negociate shumë intensive, pas një procedure mbi të gjitha të hapur e ndërkombëtare mes kompanive më të mira europiane të cilat shprehën interesin për tu bërë partnere me “Albgaz”-in shqiptar duke demonstruar se interesi ka qenë shumë i lartë. Ne përzgjodhëm sipas meritës një nga kompanitë më të mëdha botërore “SNAM” e Italisë që është dhe aksionere në konsorciumin TAP”, u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Më tej, ai sqaroi se angazhimi i “Albgaz” në mirëmbajtjen e TAP u arrit falë rinegocimit të marrëveshjes në vitin 2016.

“Administrimi i mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP nuk qe një e drejtë që i takonte Shqipërisë. Përkundrazi, ka qenë këmbëngulja e kësaj qeverie por dhe vullneti i mirë i konsorciumit që ne të fusnim në lojë një nga kompanitë shqiptare. Për këtë arsye, meqenëse ne na mungonin eksperiencat, kërkohej që të kishim një partner ndërkombëtar. Jemi të lumtur që zgjidhëm “SNAM”-in e Italisë dhe tanimë fusim një shërbim të ri në Shqipëri. Pra, një kompani shqiptare bashkë me kompaninë italiane por që në perspektivë e gjithë kjo dije e njohuri do ti transferohet kompanisë shqiptare do të jetë në gjendje të ofrojë një shërbim të mirënjohur nga pikëpamja ndërkombëtare”, insistoi Gjiknuri.

I pranishëm në ceremoninë e firmosjes, ambasadori italian Alberto Cutillo shprehu kënaqësinë për këtë marrëveshje.

“Si ambassador i Italisë jam shumë i kënaqur për firmosjen sot të kësaj kompanie të përbashkët. Një punë e gjatë e bërë këto kohë nga “SNAM” e “Albgaz” për të ardhur deri tek kjo firmosje. Mendoj se kur u mor vendimi për TAP-in, Shqipëria kishte përpara një zgjedhje nëse do të lejonte thjesht kalimin e këtij tubi përmes vendit apo të bënte të mundur shndërrimin e këtij tubacioni në një burim ekonomie dhe zhvillimi. Mendoj se gjatë muajve dhe viteve të ardhshme bashkëpunimi me “SNAM” do të funksionojë dhe do të mund të zhvillohet në Shqipëri sektori i gazit edhe me ndihmën italiane”, u shpreh Cutillo.

Leave a Reply

%d bloggers like this: