Kronika

51% e qytetarëve: Policia është e korruptuar, të parët janë Rrugorët

Perceptimi

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim përfshin qytetarët dhe policët

NGA BLEDAR HOTI

police_1Një anketim i realizuar në shkallë vendi tregon se policia shqiptare është e korruptuar deri në masën mbi 51 për qind. Studimi i kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) u prezantua këto ditë dhe jep shifra mbi mënyrën e perceptimit të korrupsionit në radhët e uniformave blu. Sondazhi i realizuar për herë të parë ka mbledhur anketimet jo vetëm të qytetarëve, por edhe të vetë punonjësve të policisë, duke krijuar kështu një panoramë mbi nivelin e korrupsionit në uniformat blu. Nga 1100 të intervistuar, 51 për qind e tyre mendojnë se policia është e korruptuar, duke e vlerësuar ‘konsiderueshëm si serioz’; 25% e të anketuarve e cilësojnë si jo në nivele serioze; 16% si rast të izoluar, ndërsa 1% mendojnë se nuk ekziston. Ndërsa vetë policët mendojnë se në masën 12.3% që korrupsioni brenda radhëve të tyre vlerësohet ‘konsiderueshëm si serioz’; 32.6% si ‘jo në nivele serioze’. Ndërsa 37.1% mendon se korrupsioni ndodh në ‘raste të izoluara’.

Policia rrugore

Sipas këtij anketimi të IDM-së, të realizuar me mbështetjen e ambasadës holandeze, nxjerr si më të korruptuar policinë rrugore. Ky sektor ka shkallën më të lartë të korruptimit sipas perceptimit si nga qytetarët ashtu dhe nga uniformat blu. Nga niveli 1 (nuk ekziston) dhe 5 (shumë i përhapur), qytetarët e rendisin në shkallën 4.1, ndërsa policët e rendisin në shkallën 2.74. sektori i Antidrogës dhe Trafiqe është në shkallën e dytë për sa i përket perceptimit për nivelin e korrupsionit. Pastaj vijnë antikrimi financiar; kufiri&emigracioni; hetimi&parandalimi i krimit; krimet e rënda; rendi & siguria publike; administrata e DPSH-së dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Forma më e raportuar e korrupsionit është ryshfeti dhe se shkak për këtë në përgjithësi është paga e ulët që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit që ndikon në “ndotjen” e uniformave blu. Kështu, nga anketimi, 32% e të intervistuarve kanë deklaruar se i është kërkuar ryshfet nga Policia e Shtetit. Ndërsa 36% e punonjësve të policisë janë shprehur se të paktën një herë gjatë ushtrimit të detyrës u është ofruar ryshfet. Gjithashtu, 18% e policëve janë shprehur se kolegu i tyre të paktën një herë ka kërkuar ryshfet.

Faktorët që ndikojnë

Si civilët dhe policët mendojnë se një ndër shkaqet e prezencës së korrupsionit lidhet me nivelin e pagave. Ky faktor bashkon në masë të konsiderueshme në rreth 60% të të intervistuarve. Si shumë përcaktues në luftën ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit shihet dhe ndikimi i politikës; trajnimi i dobët i strukturave të Ministrisë së Brendshme. Ndërsa në faktorët e tjerët lidhet me kulturën e punës në polici dhe me kulturën e korrupsionit në shoqëri.

Denoncimet

Sipas studimit të kryer, 5% e policëve kanë denoncuar eprorin për korrupsion, ndërsa 8% e tyre kanë denoncuar një oficer policie për ryshfet. Shkalla më e lartë e denoncimeve është bërë nga uniformat blu në rastet kur ata janë tentuar që të korruptohen nga qytetarët. Sipas sondazhit, 25% e policëve shprehen se qytetarët kanë tentuar t’i korruptojnë. Ndërsa 5 për qind e qytetarëve deklarojnë se i kanë denoncuar policët për korrupsion. Pra këto shifra tregojnë se përgjithësisht se si qytetarët ashtu dhe vetë punonjësit e policisë nuk janë të prirur të raportojnë apo dhe të denoncojnë tentativat për korrupsion. Ndërsa nuk kanë besim se ky fenomen që rëndon në shoqërinë shqiptare do të luftohet nga partitë politike, gjyqësori apo dhe prokuroria. Sondazhi i IDM-së është kryer përgjatë vitit 2013. Në të janë intervistuar 370 persona nga radhët e policisë, sipas një shpërndarjeje proporcionale në varësi të numrit të punonjësve në komisariate në rang drejtorie. Ndërsa janë 1100 qytetarë të intervistuar, si kampion në nivel kombëtar, mbi bazën e 36 zonave urbane dhe rurale. Rezultat e tyre mësohet se i janë dërguar dhe Ministrisë së Brendshme.

Perceptimi

Katër favorizimet që nuk përbëjnë korrupsion 

Sondazhi ka përcaktuar dhe katër shkallët që mund të cilësohen si jo përfshirje në korrupsion. Nga radhët e uniformave blu, 28% e të anketuarve mendojnë se nuk përbën korrupsion manipulimi i provave që kanë si qëllim arrestimin e shpejtë të një personi të dyshuar si i implikuar. Këtë mendim e kanë 9 për qind e qytetarëve të intervistuar. Gjithashtu, dhe pranimi i shërbimeve falas të punonjësve nga shërbimet private, si dhënie kafeje, dreke apo dhe furnizim me karburant. Këtë mendim e ndajnë 24% dhe 18% e policëve dhe civilëve të intervistuar. Gjithashtu këtu përfshihen dhe ndihma që policët japin për të futur dikë pa radhë për të përfituar një shërbim, ose kur jashtë shërbimit shkel rregullat e trafikut rrugor dhe nuk ndëshkohet. Ndërsa 22% e punonjësve të policisë kanë mendimin se zbatohet ‘pak’ ose ‘aspak’ kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit. 17% e policëve mendojnë se kuadri ligjor zbatohet plotësisht. Ndërsa për sa i përket kuadrit ligjor për politikat e hetimit të këtij fenomeni, 44% e qytetarëve mendojnë se ai zbatohet ‘pak’ ose ‘aspak’, 1% e tyre mendon se zbatohet plotësisht, 21% shprehen se ‘zbatohet ‘deri diku’. Ndërsa 57% e policëve mendojnë se politika e hetimit zbatohet ‘deri diku’, e 20% shprehet se ajo zbatohet ‘plotësisht’.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button