Home / Sporti / Grupi G, goli i shqiptarit Januzaj firmos fitoren minimale të Belgjikës ndaj Anglisë, Tunizia përmbys Panamanë 2-1

Grupi G, goli i shqiptarit Januzaj firmos fitoren minimale të Belgjikës ndaj Anglisë, Tunizia përmbys Panamanë 2-1

Pas grupit H, edhe grupi G i “Rusi 2018” ka dhënë të enjten verdiktet e tij duke kualifikuar për më tej Belgjikën, si të parën e grupit dhe Anglinë si të dytën. Ndërkohë, Tunizia ka mundur 2-1 Panamanë në takimin tjetër të mbrëmjes, por të dyja skuadrat ishin eliminuar që në ndeshjet e dyta nga ky Botëror.
Në atë që ishte një duel midis dy skuadrave që luftonin vetëm për kreun e grupit, pjesa e parë midis Anglisë dhe Belgjikës është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Ndërkaq, në pjesën e dytë, do të vijë edhe goli i 4-t shqiptar i këtij Botërori, pas atyre të realizuar nga Xhaka, Shaqiri dhe Xhemaili. Adnan Januzaj ka firmosur fitoren e Belgjikës me një realizim të bukur brenda zonës, në atë që ishte goli i 120-të i Botërorit të këtij viti.
Pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, ndeshja mbyllet me fitoren e Belgjikës.
Ndërkaq, në takimin tjetër të mbrëmjes, Tunizia ka përmbysur Panamanë dhe ka rigjetur fitoren në një Botëror pas 40 vjetësh. Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të amerikanoqendrorëve, që iu falën një autogoli të Merias në minutën e 33-të.
Por Tunizia do të kundërpërgjigjet në pjesën e dytë dhe, me dy gola brenda 15 minutash do të përmbysë gjithçka në favor të saj. Fahredinë Ben Jusef do të barazojë fillimisht shifrat në minutën e 51-të. Ndërsa në të 66-tëm, Uazbi Khazri do të përmbys rezultatin për Tunizinë. 
Kështu, Botërori ka njohur të enjten në mbrëmje edhe dy çiftet e fundit të turit 16-shes, pasi Belgjika do të përballet me Japoninë, ndërsa Anglia me Kolumbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.