Home / Ekonomia / Finalizohet transaksioni, Spitali Amerikan blen Hygeia

Finalizohet transaksioni, Spitali Amerikan blen Hygeia

Spitali Hygeia është shitur dje tek Spitali Amerikan. Lajmi është bërë i ditur për “Monitor” nga burime nga Hygeia. “Tashmë jemi Spitali Amerikan”, thanë burimet, “por mbase do ta ruajmë edhe pak emrin”.

Çmimi i transaksionit dhe përqindja e aksioneve të shitura nuk bëhen të ditura akoma.

Që prej fundit të vitit të kaluar, të dy spitalet ishin në negociata, pasi grupi grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia kishte vendosur të shiste aktivitetin në Shqipëri, për shkak të situatës së vështirë financiare.

Që prej fillimit të aktivitetit në 2010-s, pas një investimi fillestar prej 60 milionë euro, Hygeia në Tiranë ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk ka raportuar asnjëherë fitime. Në bilancet e 3 viteve të fundit (2015-2017) Hygeia e ka pranuar hapur që është në vështirësi financiare dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi.

Spitali Hygeia, i dyti më i madh në vend, raportoi të ardhura prej 2.6 miliardë lekë, me një rënie prej 3% me bazë vjetore në 2017-n, duke shënuar vitin e parë me tkurrje aktiviteti. Humbjet u thelluan me 15%, në 433 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar. Detyrimet afatshkurtra i tejkalojnë aktivet afatshkurtra me 1.9 miliardë lekë.

Edhe vetë kompania, në analizën e bilancit, për të tretin vit radhazi pranon gjendjen e vështirë të saj. “Pamundësia e shoqërisë në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së huasë dhe nevojave financiare, humbjet e saj të përsëritura nga operacionet, si dhe pozita negative e kapitalit punues mund të hedhin dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi. Aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë. Shoqëria mëmë është angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje financiare për shoqërinë. Drejtimi beson se po merr të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e biznesit të shoqërisë në rrethanat e tanishme. Drejtimi beson se po merr të gjitha masat e nevojshme për të mësbhettur qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e biznesit të shoqërisë në rrethanat e tanishme”, thuhet në shënimet e bilancit 2017.

Spitali ka një stok kredie prej 2.7 miliardë lekësh, deri në fund të 2017-s, të cilin e ka marrë në vitin 2010 dy institucione ndërkombëtare, BERZH dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim. Por, Hygeia ka pasur vazhdimisht vështirësi në pagimin e tyre ndaj i ka ristrukturuar dhe shtyrë vazhdimisht pagimin e principalit dhe për momentin po paguan vetëm interesat, sipas deklarimeve në bilanc.

Në qershor 2018. Hygeia miratoi një rritje kapitali, nga 3.7 në 4 miliardë lekë. Megjithatë, humbjet e akumuluara në kapital për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm negativ, arrijnë në 2.7 miliardë lekë.

Blerësi

Spitali Amerikan raportoi të ardhura prej 5.2 miliardë lekësh (rreth 40 milionë euro) në 2017-n, me një rritje prej 15% me bazë vjetore, duke konsoliduar pozitat si më i madh privat në vend.

Humbjet e grupit gati u dhjetëfishuan në 339 milionë lekë, në 2017-n. Sipas shpegimeve në bilanc, Humbja e akumuluar e Grupit vjen kryesisht si rezultat i humbjeve të akumuluara të viteve të kaluara si dhe investimeve në njesitë e reja. . Edhe pse Filiali aktualisht po operon me humbje, drejtimi pret që të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme dhe të rezultojë me fitim në vazhdimësi.  Drejtimi beson se aftësia e Filialit për të vazhduar në bazë të parimit të vijimësisë nuk është përkeqësuar”, thuhet në bilanc.

Inflacioni i spitaleve private

Më shumë se 10 vjet më parë, spitalet private filluan investimet e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar nivelin e ulët të shërbimeve në shtet dhe kërkesën në rritje të shqiptarëve për shërbime cilësore.

Por, ky inflacion spitalesh nuk duket se po rezulton fitimprurës. Pothuajse të gjitha veprojnë me humbje të mëdha edhe pas 6-7 vitesh aktiviteti, ndërsa të ardhurat dy vitet e fundit nuk po rriten më. Ka dhe nga ato që po tërhiqen nga tregu, siç ndodhi me Hygeia.

Leave a Reply

%d bloggers like this: