Home / Ekonomia / Ahmetaj: Buxheti u godit nga mbivlerësimi i lekut për 5 miliardë lekë

Ahmetaj: Buxheti u godit nga mbivlerësimi i lekut për 5 miliardë lekë

Akti normativ që sanksionon ndryshimet e bëra në buxhetin 2018 duket se orientohet në të paktën dy aspekte kryesore. Së pari efektin që ka dhënë mbivlerësimi i lekut dhe së dyti garantimi i paketës së solidaritetit e lidhur ngushtë me shpërblimin e pensionistëve. Ishin këto argumentet që dha ministri për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ku ka mbrojtur ndryshimet që bëhen në buxhetin e këtij viti.
“Në aktin normativ totali i të ardhurave në buxhet nuk ka ndryshuar. Edhe të ardhurat tatimore gjithashtu mbeten të njëjta përveç faktit që është axhustuar pjesa e të ardhurave nga TVSH me 3.5 miliardë lekë ulje. Reduktimi i saj vjen si efekt i TVSH në import për shkak të ndikimit të kursit të këmbimit. Në 8 muaj të këtij viti buxheti ka pësuar një goditje për shkak të mbivlerësimit të lekut prej  5 miliardë lekësh. Megjithë goditjen që ka dhënë kursi sërish balanca është e garantuar” tha ministri Ahmetaj.
Në kahun e shpenzimeve ai u shpreh se muaji gusht ka një përshpejtim të tyre e lidhur kjo ngushtë me programet dhe projektet e institucioneve.
Ministri nënvizoi se ndryshimi në buxhet vjen edhe si një garanci për paketën e solidaritetit në mënyrë që pensionistet të kenë një shpërblim në fund të vitit.
“Akti normativ  mundëson një shpërblim për pensionistët në fund të vitit. Në të bëhen rialokime të burimeve gjithmonë duke ruajtur parametrat e nevojshëm të buxhetit fillestar siç është edhe deficiti. Nga një krahasim që kemi bërë midis qeverisjes 8 vjeçare të PD dhe 4 vjeçare të PS totali rezulton 10.5 miliardë lekë shpërblim për pensionistët në kohën e qeverisjes së djathtë ndërkohë që për qeverinë tonë në 4 vite për pensionistët kanë shkuar 11.3 miliardë lekë. paketa e solidaritetit është dhënë e ndarë nga efekti i vitit elektoral e kemi kthyer në standard” tha Ahmetaj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: