Home / Ekonomia / P:as 5 vitesh përfundon loti i parë, 17.6 kilometra në aksin Korçë-Ersekë

P:as 5 vitesh përfundon loti i parë, 17.6 kilometra në aksin Korçë-Ersekë

Ka përfunduar ndërtimi i lotit të parë prej 17.6 kilometrash në aksin Korçë-Ersekë, ndërsa qeveria ka në planin e saj dhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, drejtorin e ARRSH-së Afrim Qendro dhe deputeten Elisa Spiropali inspektuan përfundimin e punimeve për ndërtimin e lotit të parë të aksit kombëtar Korçë-Ersekë.

Aksi i ndërtuar ka një gjatësi 17.6 kilometër dhe është një rrugë e kategoricë “C1”. Me kërkesën e Bashkisë Korçë projekti ka pësuar ndryshime gjatë zbatimit të tij ndërsa në zonën urbane rreth 2 kilometër është plotësuar edhe me korsinë e biçikletave, pemët dekorative, ndriçimin rrugor, trotuaret.

“Ka nisur në vitin 2013, ka pasur disa ndryshime gjatë zhvillimit të kontratës. Kemi pasur një kërkesë nga Bashkia Korçë për të ndërhyrë në segmentin e parë prej afërsisht 2 kilometra, për ta plotësuar me elementët e zonës urbane. Janë të plotësuara gjelbërimi, ndriçimi, trotuaret dhe korsia e biçikletës bashkë me gjithë elementët e tjerë dhe ura në hyrje të qytetit të Korçës. Kemi bërë lidhjen fundore të këtij segmenti me rrugën e vjetër që të çon në Ersekë dhe zgjidhjen përfundimtare në pjesën e vështirë të Qarrit duke e kthyer këtë rrugë në tre korsi, dy në ngjitje dhe një në zbritje për shkak të kushteve atmosferike të këqia që ka kjo zonë”, sqaroi drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.

I gjithë projekti për lidhjen e Korçës me Ersekën është i ndarë në 3 lote ndërsa ministri Gjiknuri tha se qeveria është e vendosur për të financuar edhe lotet e tjera deri në përfundimin e plotë të aksit deri në Ersekë.

“Ky është loti i parë. Qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë. Me optimizimin e buxhetit dhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit, besoj vitin tjetër do të jetë e mundur edhe fillimi i lotit tjetër drejt Ersekës që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë. Programet e qeverisë shqiptare për infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë dhe ne atë që kemi thënë do ta bëjmë realitet, që në krye të katër viteve do të përfundojmë të gjitha kantieret e hapura dhe do të mbyllim çdo vepër që po hapim tani, që Shqipëria të ketë një rrjet rrugor kombëtar me gjithë parametrat që duhen”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi vuri theksin tek fakti se loti i parë i Korçë-Ersekë krijon lidhjen e qytetit me 4 fshatra të cilat janë pjesë e projektit “100 Fshatrat”.

“Në këtë rrugë lidhim katër nga 100 fshatrat e Shqipërisë. Lidhim Drenovën e Boboshticën, pastaj Dardhën pak më lart. Kemi folur me ministrin për të bërë një investim mundësisht në vitin që vjen të rrugës turistike të Dardhës. Kemi edhe Rehovën e cila me përfundimin e lotit të parë dhe me shumë gjasa vazhdimin e lotit të dytë tani bëhet pjesë e kurorës së fshatrave që janë jo më larg se gjysmë ore nga qyteti i Korçës. Në këtë qark, konektiviteti me rrugën Qukës-Qafë Plloçë, me rrugën Lin-Pogradec, me përmirësimin që ju bë rrugës së Qafë Thanës së fundi, rrugës së Plloçës gjithashtu, kjo rrugë që të lidh me Kolonjën është rritur siç nuk ka ndodhur në 25 vite”, vlerësoi ministri Peleshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.