Home / Ekonomia / Muçostepa: Volumi tregtar Shqipëri-Serbi, 222 milionë euro në dy vitet e fundit

Muçostepa: Volumi tregtar Shqipëri-Serbi, 222 milionë euro në dy vitet e fundit

Volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë gjatë dy viteve të fundit është 222 milionë euro, duke pasur një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2016.

Kështu deklaroi sot kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, në konferencën ndërkombëtare që po zhvillohet në Tiranë me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, të organizuar nga Agjencia Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

“Dy vitet e fundit kanë qenë shumë dinamikë në shkëmbimet e informacioneve në njohjen, lidhjen, vendosjen e bashkëpunimit të firmave në fusha të ndryshme si ato ushqimore, logjistike , turizëm, import dhe eksport. Eksportet drejt Serbisë u rritën me 12% krahasuar me vitin 2016, me një vlerë prej 36 milionë euro. Gjithashtu edhe importi nga Serbia për vitin 2017 pati një rritje prej 38% me një vlerë prej 186 milionë euro”, nënvizoi Muçostepa.

Sipas Muçostepës, edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë është rritur me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe shkëmbimet tregtare pothuajse në të gjitha zërat dominohen ndjeshëm nga importi.

“Në kuadër të shkëmbimeve tregtare me vendet e Ballkanit Perëndimor, shkëmbimet me Serbinë zënë rreth 34.8% të totalit”, shtoi ajo.

Muçostepa u shpreh se “një vit më parë në Tiranë u organizua Asambleja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë , Shqipëri-Serbi në praninë e një numri shumë të lartë të sipërmarrjeve nga të dyja vendet, e cila solli edhe regjistrimin e 100 anëtarëve në këtë strukturë. Një fakt që na demonstron rëndësinë që pati iniciativa e dy kryeministrave tanë në krijimin e një platforme për nxitjen dhe bashkëpunimin afatgjatë në fushën e tregtisë dhe nxitjen e investimeve ndërmjet dy vendeve tona”.

“Ky rezultat është edhe dëshmi e rolit të rëndësishëm që kanë Dhomat e Tregtisë për të nxitur marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike si dhe të përfaqësojnë interesat e sipërmarrjeve brenda dhe jashtë vendit”, tha ajo.

Ndërkohë, vijoi ajo, që shumë është bërë, shumë e shumë mbetet akoma për të bërë, për të lehtësuar procedurat për eksportin, importin e produkteve si dhe eleminuar barrierat jotarifore që ekzistojnë akoma mes dy vendeve tona.

“Të flasësh sot për bashkëpunim ekonomik nuk mjafton vetëm shkëmbimi tregtar i produkteve, por është shumë i rëndësishëm bashkimi i sipërmarrjeve të dy vendeve, krijimi i sipërmarrjeve të përbashkëta, i cili do t’i bënte ato të krahasueshme dhe konkurruese edhe me sipërmarrjet europiane, si dhe investimet e tyre të përbashkëta”, tha Muçostepa.

Sipas saj, nga ky bashkëpunim tashmë janë arritur rezultatet e para konkrete lidhur me projekte të përbashkëta dhe të tjera priten të realizohen akoma më tej.

Por, vijoi ajo, sfidat tona me Dhomën e Tregtisë së Serbisë nuk mbarojnë këtu, duke pasur parasysh rolin e lokomotivës që sipërmarrja ka në kuadrin e integrimit europian gjatë samitit të Vjenës të vitit 2015 krijuam CIF, forumin e investimeve të Dhomave Ballkanike Perëndimore , ku bëjnë pjesë të gjitha Dhomat e Tregtisë në Ballkan dhe më tej impenjimi jonë i përbashkët u konkretizua me krijimin në Samitin e Triestes të sekretariatit të CIF pranë Dhomës së Tregtisë së Venezia Giulia.

“Sekretariati jonë i përbashkët, strukturë kjo në ndihmë të sipërmarrjeve të vendeve të Ballkanit dhe të zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme do të monitorojë mundësitë për të realizuar operacione të përbashkëta për të gjithë anëtarët tanë, dhe promovimin e integrimit të ekonomisë rajonale të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të jetë një mundësi për të bashkëpunuar me shtetet fqinje anëtare të BE-së”, tha Muçostepa.

Ajo falënderoi dy organizatoret e konferencës, drejtoreshën e ATSH-së, Armela Krasniqi dhe të Tanjug, Branka Djukiç, që sipas saj me shumë pasion organizuan këtë event, duke na dhënë mundësinë të shkëmbejmë sot lirshëm eksperiencat dhe mendimet tona lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: