Diplomatët rusë kanë thënë më 25 tetor se ata i kanë ofruar Komitetit të Asamblesë për Çarmatim një draft-rezolutë, në të cilën bëhet thirrje për ruajtje të Paktit për Raketat me Rreze të Mesme Veprimi, mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të bllokojnë këtë propozim, duke argumentuar se Rusia ka humbur afatin e 18 tetorit, i cili ka qenë afati i fundit për të dorëzuar rezoluta të tilla.

Zëdhënësi i misionit rus në OKB, Fedor Strzhizhovskiy, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të votojnë lidhur me atë nëse dokumentet të tilla mund të dorëzohen me vonesë, andaj Komiteti tani është duke synuar të gjejë një kompromis se si të vazhdojë procesin.

“Komuniteti ndërkombëtar ka obligim të reagojë ndaj kësaj situate apokaliptike”, ka thënë një diplomat rus, duke iu referuar vendimit të Trumpit për t’u larguar nga Traktati me pretendimet se Rusia e ka shkelur këtë pakt nga viti 2014.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë më herët gjatë kësaj jave se ai pret që votimi në OKB të shpërfaqë mbështetje globale për traktatin e armëve duke përfshirë aleatët amerikanë.

Në rezolutën e hartuar nga Rusia kërkohet që Moska dhe Uashingtoni të ruajnë traktatin dhe të nisin dialogun për të diskutuar shqetësimet e secilës palë lidhur me shkeljet e supozuara, shkruan rel.

Traktati i nënshkruar në vitin 1987 nga ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan dhe lideri i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev parandalon posedimin dhe prodhimin e raketave tokësore me rreze të mesme veprimi.

Gorbachev ka thënë më herët gjatë javës se braktisja e këtij pakti është vendim i gabuar.