Home / Sporti / Dramë belge në Luzernë, Seferoviç çon Zvicrën në krye të grupit

Dramë belge në Luzernë, Seferoviç çon Zvicrën në krye të grupit

Zvicra u bë skuadra e tretë që siguron vendin e parë në grup, në Divizionin A të Ligës së Kombeve dhe bashkë me Portugalinë, Anglinë dhe njërën mes Francës e Holandës, do të luajë shanset për të fituar për herë të parë këtë trofe.
Helvetët mposhtën Belgjikën me rezultatin befasues 5-2 në Luzernë, në një sfidë që u duk se do të ishte një shëtitje për skuadrën e drejtuar nga Roberto Martinez, por që në fakt rezultoi një dramë e vërtetë.

Belgjika e nisi ndeshjen me shumë vrull dhe që në minutën e dytë ishte Thorgen Hazard që shënoi pas një rrëmuje dhe kaloi të tijtë në avantazh. Në minutën e 17’ ishte sërish sulmuesi i Borussia Munchengladbach që shënoi një gol mjaft të bukur dhe dyfishoi avantazhin.

Pas dopietës së Thorgen Hazard, i cili la në hije vëllanë e tij, kapitenin Eden Hazard, u mendua se do të ishte Belgjika ajo që do të ruante vendin e parë në grupin 2 të Ligës A, por zviceranët nuk e kishin thënë ende fjalën e tyre.

Në minutën e 26’, arbitri akordoi një 11-metërsh për helvetët, të cilën e ekzekutoi saktë mbrojtësi i majtë Rodriguez, duke rihapur takimin. Vetëm 5 minuta më vonë, ishte Xherdan Shaqiri që krijoi një aksion mjaft të bukur dhe shërbeu për Seferoviç, me këtë të fundit që dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu baraspeshën.

Por festivali helvet në Luzernë nuk përfundoi me kaq, pasi në minutën e 44-t ishte sërish Seferoviç, që dërgoi topin për herë të tretë në rrjetën e portës së belgut Thibaut Courtois, duke kaluar Zvicrën në avantazh 3-2.

Belgjika u mundua të reagojë në 45-minutëshin e dytë, për të rrëmbyer të paktën një barazim, që do t’i garantonte vendin e parë, pro në minutën e 62-të ishte Elvedi, që pasi mori një asist nga Shaqiri, shënoi edhe golin e 4-t për vendasit.

Rezultati u vulos në minutën e 84-t, kur Seferoviç kompletoi tripletën personale, pasi shënoi pas një krosimi me kokë dhe çoi shifrat finale të ndeshjes 5-2 për skuadrën helvete.

Leave a Reply

%d bloggers like this: