Home / Ekonomia / Erdoğan: Rrjedha Turke shumë avantazhe jo vetëm për Turqinë, por edhe për rajonin

Erdoğan: Rrjedha Turke shumë avantazhe jo vetëm për Turqinë, por edhe për rajonin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, së bashku me homologun rus Vladimir Putin, morën pjesë në ceremoninë e përfundimit të seksionit detar të projektit të gazit natyror “Rrjedha Turke” që u organizua në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, presidenti Erdoğan tha se tashmë është arritur në fazën e fundit të projektit.

“Rrjedha Turke ka shumë avantazhe jo vetëm për Turqinë dhe popullin tonë, por edhe për fqinjët dhe rajonin tonë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk shprehu shpresën se projekti “Rrjedha Turke” do të jetë gati për funksionim pas testimeve që do të bëhen në vitin 2019, ndërsa bashkëpunimin mes Turqisë dhe Rusisë në fushën e energjisë e cilësoi si tregues të marrëdhënieve tejet të mira mes dy vendeve.

“Federata e Rusisë është mik i besueshëm me të cilin mund të kemi bashkëpunime afatgjata dhe një furnizues i rëndësishëm i gazit natyror”, tha Erdoğan, duke shtuar se bashkëpunimi me Rusinë është duke përparuar në një gamë shumë të gjerë.

Turqia synon të arrijë një vëllim tregtar prej 100 miliardë dollarësh me Rusinë, tha më tej Erdoğan.

Presidenti turk tha se Turqia që nga viti 1987, kur nisi të furnizohet me gaz natyror nga Rusia, ka blerë 387 miliardë metra kub gaz natyror nga ky vend.

“Kjo tregon se bashkëpunimi ynë në fushën e energjisë kalon çdo sprovë”, tha Erdoğan.

“Kornizën e marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë asnjëherë nuk e kemi përcaktuar sipas kërkesave apo imponimeve të shteteve tjera”, shtoi presidenti i Turqisë.

Nga ana tjetër, edhe presidenti rus Putin shprehu dëshirë që vendi i tij të arrij vëllim tregtar prej 100 miliardë dollarësh me Turqinë.

“Rrjedha Turke do të shndërrojë Turqinë në një qendër të rëndësishme të gazit natyror dhe do të ketë ndikim pozitiv në pozitën e Turqisë”, deklaroi Putin, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e energjisë ka vijuar në mënyrë të suksesshme përgjatë viteve.

“Është Erdoğan ai që emërtoi projektin, ia dha emrin Rrjedha Turke”, tha presidenti rus.

“Në kushtet ku është rritur konkurrenca, nuk do të ishte i mundur realizimi i një projekti të këtillë pa praninë e një guximi dhe të një vullneti të këtillë politik”, shtoi ai.

Putin theksoi se realizimi i një projekti të këtillë do të ishte i pamundur pa besimin mes dy vendeve.

Ndryshe, projekti “Rrjedha Turke” është një tubacion i gazit eksportues që do të kalojë nën Detin e Zi nga Rusia në Turqi dhe që po ashtu zgjerohet më tej nga kufijtë e Turqisë me vendet fqinje.

Linja e parë e tubacionit “Rrjedha Turke” është vendosur të mbajë 15,75 miliardë metra kub të gazit natyror në Turqi. Projekti do të ketë një kapacitet prej 31,5 metra kub me një linjë të dytë që do të shkojë në Evropë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: